Një aksion i madh i Krimeve Ekonomike është zhvilluar sot në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku tre persona, përfshirë edhe një zyrtar komunal, kanë përfunduar në pranga nën dyshimet për falsifikim dokumentesh, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe mashtrim, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet bëjnë të ditur se hetimet lidhen me manipulime dhe veprime të kundërligjshme në çështje pronësore, ndërsa në mesin e të dyshuarve është edhe Fitim Sertolli, rreth 38-vjeçar, zyrtar në Komunën e Prishtinës.
Përveç tij, në ndalim kanë përfunduar edhe:
Liridon Restelica, rreth 42-vjeçar
Ndriçim Sogojeva, rreth 31-vjeçar
Sipas informatave, rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), respektivisht Njësia për Kontroll të Kualitetit të Punës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda.
Hetimet për këtë rast kishin nisur muaj më parë, ndërsa më 25 shkurt 2026 ishin arrestuar edhe dy persona tjerë, Mihajlo Milovanovic dhe Zhelko Jagodic, tek të cilët, sipas Policisë, ishin gjetur prova të shumta që lidhen me rastin.
Pas zgjerimit të hetimeve, autoritetet kanë siguruar prova që dyshohet se implikojnë edhe tre të arrestuarit e sotëm në skemën e dyshuar kriminale.
Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, hetuesit kanë bastisur katër lokacione:
tri banesa/shtëpi të të dyshuarve,
dhe një zyrë në Drejtorinë e Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Prishtinës.
Në kuadër të këtij aksioni, Prokurori i Shtetit ka sekuestruar dy vetura në vlerë rreth 80.000 euro, një orë dore të markës Rolex në vlerë afro 8.000 deri në 10.000 euro, pesë telefona celularë, si dhe dokumente të tjera që do të shërbejnë si prova materiale në këtë procedurë penale.
Pas intervistimit në prezencë të avokatëve, me vendim të Prokurorit të rastit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

