Telenews

Aktakuzë ndaj Goran Rakiqit, kjo është arsyeja

 

 

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, të cilin e akuzon se në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë.

Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton të jetë përpiluar më 2 maj 2024 nga prokurori Ali Ajdini.

Sipas aktakuzës, thuhet se Rakiq, në cilësinë e ministrit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Deklarim, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve së Lartë Publikë, ashtu që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në formularin e deklarimit të pasurisë, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara.

Aktakuza thotë se Rakiq në formularin për deklarimin e pasurisë të dorëzuar më 31 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara për vitin 2020, respektivisht nuk ka deklaruar të hyrat vjetore të përfituara nga funksioni si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe funksionin në Ndërmarrjen Publike “Standard” në Mitrovicë.

Me këto veprime, Rakiq po akuzohet se ka kryer veprën penale nga kapitulli i korrupsionit “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Në arsyetimin e aktakuzës, thuhet se Rakiq në deklaratën e tij të dhënë në Prokurori në tërësi e ka pranuar kryerjen e veprës penale dhe i njëjti është shprehur i gatshëm që të hyjë në negociata për pranimin e fajësisë.

E një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi”, më 25 prill 2024 e kishte konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, kur në objektin e kësaj Prokurorie ishte parë tani i akuzuari Rakiq. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngajshme

Në mbledhje elektronike, qeveria bën dy emërime

Donat Hashani

Kandidati për prokuror të shtetit ndalohet për dhunë në familje nga Prokuroria e Prizrenit

Donat Hashani

Zyrtarja e lartë e PDK-së sot mban konferencë për media

Donat Hashani