Sot në Prishtinë ka nisur punimet forumi ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.
Për këtë ngjarje në Kosovë ka ardhur edhe Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, i cili dyshohet se është përfshirë në një aferë financiare rajonale.
Ai tha se raportimet për përfshirjen e tij në një aferë janë qëllimkëqija. Thotë se është krenar për përfaqësimin e Kosovës si ambasador në Kroaci.
“Jam shumë i gëzuar dhe i respektuar që i prezantoj Qeverinë e Kosovës, shtetin e Kosovës si ambasador në Kroaci. Këto çështje, për të cilat po pyesni, janë spekulime të drejtuara dhe kanë prapavijë politike”, ka deklaruar Berishaj.
Të gjitha spekulimet, Berishaj thotë se i hedh poshtë.
“Mendoj se është shumë me rëndësi në këtë rast të flasim më tepër për aktivitetet e këtij forumi. Duhet të them që këto spekulime që janë bërë, i hedh poshtë dhe ato kanë vetëm një qëllim – ta denigrojnë personalitetin tim, imazhin e Kosovës. Këta shpifësa besoj se do të dalin para gjyqësisë”, shtoi Berishaj.
Pavarësisht këtyre, Kurti e ka lartësuar ambasadorin Berishaj. Në nisje të forumit, në fjalën e tij, kryeministri i është drejtuar ambasadorit me fjalët: I nderuari ambasador, zoteri Martin Berishaj.

