Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka falënderuar bashkëfshatarët dhe të gjithë kontribuuesit për ngritjen e obeliskut në nderim të babait të tij dhe tri shkronjave të UÇK-së.
Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së përurimit, Altin Krasniqi ka thënë se obelisku do të mbetet simbol i përhershëm i respektit, mirënjohjes dhe kujtesës.
Ai ka falënderuar në veçanti komisionin e fshatit për iniciativën dhe angazhimin, si edhe kryetarin e fshatit, Gjon Krasniqi, për kontributin në realizimin e kësaj vepre.
Në emër të familjes, ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe respektin e vazhdueshëm që, sipas tij, u është dëshmuar familjarëve të Jakup Krasniqit.
Krasniqi ka thënë se kjo mbështetje ka domethënie të veçantë për familjen, pasi u jep forcë dhe dëshmon se solidariteti dhe mirënjohja e njerëzve mbeten të palëkundura edhe në kohë të vështira.
Në fund të fjalimit, ai ka shprehur shpresën se drejtësia do të triumfojë dhe se të gjithë çlirimtarët do të kthehen sa më parë në Kosovë, pranë familjeve të tyre.
“Dëshiroj t’ju falënderoj secilin prej jush që kontribuuat dhe bët të mundur ngritjen e këtij obelisku, i cili do të mbetet një simbol i përhershëm i respektit, mirënjohjes dhe kujtesës sonë. Një falënderim i veçantë i takon edhe komisionit të fshatit për iniciativën dhe angazhimin e tyre, si dhe kryetarit të fshatit, Gjon Krasniqi, për përkushtimin dhe kontributin e dhënë në realizimin e kësaj vepre. Në emër të familjes sonë, ju shpreh mirënjohjen më të thellë për mbështetjen, respektin dhe vlerësimin që e keni dëshmuar vazhdimisht, familjarët, kushërinjtë dhe mikut tuaj, Jakup Krasniqi. Për ne, kjo mbështetje ka një domethënie të veçantë. Ajo na jep forcë dhe na dëshmon se respekti, solidariteti dhe mirënjohja e njerëzve mbeten të palëkundura edhe në kohët më të vështira. Në fund, shpresoj dhe besoj se drejtësia do të triumfojë dhe të gjithë çlirimtarët do të kthehen sa më parë në atdheun e tyre, pranë familjeve dhe njerëzve të tyre”, ka thënë Altin Krasniqi.

