Analisti politik Shkëlzen Gashi ka bërë një thirrje publike drejtuar qytetarëve të Prishtinës në prag të zgjedhjeve lokale, duke u kërkuar që të mos e votojnë kryetarin aktual, Përparim Rama.
Përmes një postimi të gjatë në rrjete sociale, Gashi tha se Prishtina është në gjendje të rëndë, duke e cilësuar mandatin e Ramës si të dështuar. Ai ka pranuar se kishte mbështetur atë para katër vjetësh, por sipas tij, kryetari nuk ka përmbushur asnjë prej premtimeve të dhëna.
“Prishtina s’është qytet vetëm i atyre që janë lindur e rritur këtu, as vetëm i atyre që kanë ardhur së voni për të jetuar. Prishtina është e të gjithëve – e atyre që vijnë për punë apo për qejf. Prandaj, kur është në pyetje Prishtina, duhet të angazhohemi të gjithë,” ka shkruar Gashi.
Ai ka kërkuar ndjesë publike që kishte kontribuar në fitoren e Përparim Ramës në vitin 2021, duke shtuar se ndihet i mashtruar nga programi që, sipas tij, nuk është realizuar.
“Na mashtroi dhe kjo ndodhi edhe për fajin tim, për çka më vjen shumë keq dhe ju kërkoj publikisht falje,” ka deklaruar Gashi.
Në vijim të reagimit të tij, Gashi ka renditur disa arsye pse qytetarët, sipas tij, nuk duhet ta votojnë Ramën për një mandat të dytë, duke e akuzuar për mashtrime dhe përfshirje në krim.
“Mos e votoni Përparim Ramën sepse nuk e ka realizuar asnjë prej projekteve të mëdha që i pat premtuar. Mos e votoni sepse po e ofendon inteligjencën tonë duke na gënjyer sy më sy se i ka përmbushur ato projekte. Mos e votoni sepse është njeri i kapur prej krimit dhe i përfshirë në krime,” ka thënë ndër të tjera ai.
Në fund të thirrjes së tij, Gashi u ka kërkuar qytetarëve të Prishtinës të mos qëndrojnë neutralë “përballë krimit dhe mashtrimit”, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët:
“Ju lus: mos e votoni Përparim Ramën.”

