Një rast i ri i Clade Ib mpox është zbuluar në Angli, ka njoftuar Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar.
Rasti u zbulua në East Sussex dhe individi tani është nën kujdesin e specializuar në Guy’s dhe St Thomas’ NHS Foundation Trust.
Bëhet e ditur se ai ishte kthyer së fundi nga Uganda, ku aktualisht ka raste me mpox, apo siç njihet ndryshe Lija e majmunit.
Raportohet se ky është rasti i gjashtë i Clade Ib mpox i konfirmuar në Angli që nga tetori 2024, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Agjencia tani po kontrollon kontaktet e ngushta të individit të infektuar, me ndihmën e organizatave partnere.
Kontakteve do t’u ofrohet testimi dhe vaksinimi aty ku është e nevojshme për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Gjithashtu, atyre do t’u thuhet se çfarë kujdesi të mëtejshëm u nevojitet, nëse ata kanë simptoma ose rezultojnë pozitiv.
Ndryshe, zëvendësdrejtori i UKHSA, Dr. Meera Chand, tha se rreziku për popullsinë në Mbretërinë e Bashkuar “mbetet i ulët”.
Clade Ib mpox është gjetur në disa vende të Afrikës muajt e fundit dhe raste janë konfirmuar në disa vende duke përfshirë Belgjikën, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Suedinë dhe SHBA-të.