Telenews

Avokati Tmava: Familja e 30-vjeçarit që vdiq nga rrëzimi i drurit, mund të padisë Komunën e Prishtinës

Familja e 30-vjeçarit, i cili vdiq të hënën si pasojë e rrëzimit të një druri në rrugën “Vaso Pasha” në Prishtinë, mund të ushtrojë padi për kompensim dëmi kundër kësaj komune.
Kështu tha në një intervistë me shkrim për Telegrafin, avokati Berat Tmava, i cili tha se bazuar në rrethanat që ka ndodhur rasti, familja ka të drejtë ligjore për kompensim.
Njëjtë sipas tij mund të veprojë edhe familja e 35-vjeçares e cila në këtë incident mbeti e lënduar rëndë dhe rrezikon të mbetet e palëvizshme.
“Po, ka të drejtë ligjore që të ushtrohet padi për kompensim dëmi kundër Komunës së Prishtinës në të dyja rastet”, deklaroi Tmava, duke shtuar se padia ushtrohet në gjykatën kompetente – në rastin konkret në Gjykatën Themeloren në Prishtinë.
Ndërsa, sa i përket shumës së dëmshpërblimit, ai tha se varet prej rrjedhës së procedurës si dhe mendimit të ekspertëve kompetentë që ftohen me propozimin e palëve.

Avokati Berat Tmava

35-vjeçarja e cila i mbijetoi kësaj tragjedie, është dërguar për shërim në Shkup.
Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar, Sami Bajçinca – mjek në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku u trajtua e lënduara deri të hënën mbrëma kur edhe u nis për trajtim jashtë vendit.
Sipas tij, lëndimet e 35-vjeçares janë serioze dhe e njëjta rrezikon të mbetet e palëvizshme.
“Gjendja e saj pas trajtimit në QKUK ishte stabile. Por, lëndimet janë të rënda. Ajo e ka të humbur përkohësisht lëvizjen dhe rrezikohet të mbetet e palëvizshme për tërë jetën”, ka thënë Bajçinca.
Telegrafi ka dërguar pyetje në adresë të Ndërmarrjes Publike Komunale “Hortikultura”, për të pyetur nëse kanë të dhëna për numrin e drunjve të dëmtuar në Prishtinë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës njoftoi të mërkurën se ka nisur prerjen dhe krasitjen e drunjve të dëmtuar, të cilët paraqesin rrezik për qytetarët.
Sipas njoftimit, deri tani janë prerë dhe krasitur drunjtë në rrugën “Abedin Rexha” dhe në “Parkun e Qytetit”.
“Komuna e Prishtinës nëpërmjet Hortikulturës dhe Organit Mbikëqyrës është në proces të vazhdueshëm të identifikimit dhe eliminimit të drunjve të dëmtuar të cilët paraqesin rrezik potencial si rezultat i kushteve të rënda atmosferike, si dhe krasitjes së disa prej tyre për të evituar rrezikun nga kabllot e rrymës”.
“Deri tash është bërë realizimi i prerjeve dhe krasitjeve në rr. ‘Abedin Rexha’ dhe në ‘Parkun e Qytetit’”, thuhet në njoftimin për media të komunës.
Tutje, thuhet se planifikohet që me të njëjtat procedura të vazhdohet në “Tauk Bashqe”, në rrugën “Simon Shiroka” – Zona Qendër, në rrugën “Jonuz Zejnullahu” dhe në vende të tjera që mund të paraqesin rrezik për qytetarët.

Të ngajshme

Mergim Lushtaku “ia vendos” një infuzion kryeministrit Kurti

Donat Hashani

Kusari-Lila: Nxënësit humbën 12 për qind të programit të vitit shkollor

Donat Hashani

SBAShK vendos një afat për pagat: Ju presim veç edhe pak orë, më pas shkojmë nëpër rrugë ligjore

Donat Hashani