Është ndarë nga jeta Bajram Qerkini, babai që tërë copën e jetës së tij të pasluftës e shkriu në misionin për të zbardhur fatin e birit të tij të zhdukur dhe të tjerëve që e patën fatin e tij.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur shkroi se me humbjen e Qerkinit, Kosova ka humbur “një njeri që përfaqësonte zërin e mijëra familjeve që presin të vërtetën”.
“Vepra dhe trashëgimia e tij do të mbeten frymëzim për të gjithë ne që patëm fatin ta njohim e të bashkëpunojmë me të.
Ai ka dhënë një prononcim për Klankosova.tv ku ka treguar se çfarë ka mësuar nga Qerkini si karakter, si prind dhe si misionar.
Çfarë keni mësuar nga Qerkini sa i përket vendosmërisë si virtyt?
Nga jeta dhe veprimtaria e Bajram Qerkinit, apo siç e njihnim me plot respekt si Baca Bajram, mësojmë se vendosmëria nuk është thjesht një qëndrim i brendshëm, por një mënyrë jetese. Për 26 vite me radhë, ai nuk e ndali asnjëherë përpjekjen për të gjetur fatin e djalit të tij Reshatit dhe të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe për të mbështetur institucionet në angazhimin e përpjekjet e përbashkëta në lehtësimin e dhimbjes dhe që ankthit të pritjes t’i vijë fundi.
Përkundër sfidave, vendosmëria në procese të tilla, duhet të mbetet e palëkundur. Meqë qëndrueshmëria ndaj një kauze të tillë, për një të drejtë elementare, është forca që e bën njeriun të pavdekshëm në kujtesën e shoqërisë. Dhe për këtë shembuj mbesin personalitetet si Bajram Qerkinaj, Prenkë Gjetaj, Pajazit Nushi , e shumë personalitete që dhanë aq shumë kontribut në këtë proces që padyshim mbetet tema më e ndjeshme me të cilën përballet vendi ynë.
Cili është leksioni që na e ka mësuar ai si prind?
Si prind, Baca Bajram na ka dhënë një leksion të thellë për dashurinë e pakushtëzuar dhe sakrificën e pafundme. Mungesa e informacioneve për fëmijën e rrëmbyer e zhdukur është një nga dhimbjet më të mëdha që mund të përjetojë një prind, por ai nuk u dorëzua para dhimbjes. Përkundrazi, e shndërroi atë në forcë për të kërkuar përgjigje, jo vetëm për djalin e tij, Reshatin, por për të gjithë prindërit që ndajnë të njëjtin fat.
Ku zë vend kontributi i tij në luftën e Kosovës për zbardhjen e fatit të të zhdukurve?
Në betejën për zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, Baca Bajram zë një vend të veçantë si një prej zërave më këmbëngulës dhe të palodhur. Si një zë i fuqishëm e viktimave të heshtura. Ai nuk ishte thjesht një familjar që kërkonte të birin, por u bë simbol i qëndresës kolektive për mijëra familje që ndanin të njëjtin dhimbje.