Paraqitja e Kristian Prengës ndaj Anthony Joshuas ka rikthyer vëmendjen te boksi shqiptar, ndërsa tashmë një tjetër boksier shqiptar ka dalë publikisht me një sfidë për britanikun.
Bëhet fjalë për Roberto Bakajn, i cili ka kërkuar një përballje me Joshuan përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
“Le ta bëjmë realitet! Ju garantoj se miliona tifozë shqiptarë dhe tifozë të panumërt të boksit në mbarë botën do ta mbështesin këtë event. Të gjithë janë jashtëzakonisht të entuziazmuar dhe mezi po e presin këtë përballje. Le t’u japim njerëzve atë që duan”, ka shkruar Bakaj.
Sfida e tij vjen pas meçit ku Anthony Joshua mposhti Kristian Prengën me nokaut në raundin e dytë në Arabinë Saudite. Megjithatë, Prenga la gjurmë në atë përballje, pasi arriti ta rrëzonte dy herë ish-kampionin e botës në raundin e parë.
Bakaj është një prej boksierëve shqiptarë me një rekord interesant në kategorinë profesioniste. Ai ka zhvilluar 16 meçe dhe i ka fituar të gjitha me nokaut, duke u cilësuar si një nga goditësit më të fuqishëm në kategorinë e tij.
Joshua ndërkohë pritet të vazhdojë përgatitjet për një përballje të madhe me Tyson Furyn, duel që konsiderohet ndër më të mëdhenjtë në historinë e boksit britanik.
Megjithatë, kërkesa e Bakajt ka shtuar edhe një emër tjetër shqiptar në listën e boksierëve që synojnë të përballen me njërin prej emrave më të mëdhenj të peshave të rënda.

