Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mesditën e 22 shtatorit në rrugën “Bedrush Qollaku” në Prishtinë, ku një 11-vjeçare ka mbetur e lënduar rëndë pasi është goditur nga një veturë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur rreth orës 12:50, derisa një automjet Mercedes, ngjyrë hiri, ishte në lëvizje në këtë rrugë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dyshohet se drejtuesi i veturës, Leutrim Shala, 31-vjeçar, nga pakujdesia ka goditur këmbësoren e mitur, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Viktima është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohet dhe, sipas të dhënave fillestare, ndodhet pa vetëdije.
Me rastin po merret Njësia e Hetimeve të Trafikut Rajonal, ndërsa pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

