Mefail Bajqinovci, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka komentuar rregulloren e miratuar në Kuvend që ua lejon deputetëve të punësojnë nga një këshilltar politik.
Bajqinovci e konsideron të drejtë që çdo deputet ta ketë nga një këshilltar për t’u ndihmuar, pasi thotë se ka shumë punë që duhet kryer, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“I vyn, asistenti ka shumë punë. Deputeti e ka pagën 1600 euro, duhet të ketë asistent sepse ka shumë punë”, tha ai në T7.
Tutje, ai është ankuar edhe për kushtet që ofron Kuvendi i Kosovës, pasi thotë se s’ka salla për të mbajtur takime.
“Tash është marrë vendim dhe është kryer kjo punë. Nëse flasim për mungesën e deputetëve mund të flasim, por kjo është temë tjetër. Po e tregoj të vërtetën. Takimet e mia si deputet i kryej nëpër komuna dhe kafe. Nuk ka vend në Kuvend ku t’i presësh palët. Ka palë që nuk dëshiron të shihet nëpër kafe”, shtoi ai.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka miratuar rregulloren e re që përcakton shtesat mbi pagën bazë për deputetë si dhe mundëson klasifikimin e pagës për stafin mbështetës.
Bazuar në këtë rregullore, e cila është miratuar më 14 prill, deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë të drejtën që të punësojnë nga një këshilltar politik, që në rregullore kategorizohet si “staf mbështetës politik”.
Paga e secilit këshilltar do ta ketë koeficientin 5.8, që sipas Ligjit të Pagave kap shumën e mbi 600 eurove.
Ky staf mbështetës përfiton edhe shtesë të posaçme në shumën prej 30% të pagës bazë, si dhe nga 5 euro për shpenzime ditore në çdo ditë pune. Këto shtesa do t’u ndahen edhe deputetëve.