Fragmentimi politik në Kosovë ka penguar funksionimin e Qeverisë dhe të Kuvendit. Kështu vlerësohet në draftin e Pakos së Zgjerimit, të cilin Komisioni Evropian pritet ta publikojë javën e ardhshme.
Dokumenti vë në pah edhe ndikimin politik dhe të grupeve të interesit në gjykata dhe prokurori. Sipas vlerësimit të Brukselit, Kosova nuk ka shënuar përparim të mjaftueshëm në fushat themelore të integrimit evropian. Vlerësim të ngjashëm kanë marrë edhe Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Megjithatë, një zhvillim pozitiv për Kosovën është fakti se përafrimi i plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian pasqyrohet për herë të parë në kuadër të kapitullit 31, raporton RTK.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Komisioni Evropian përsërit se perspektiva evropiane e të dyja vendeve varet nga normalizimi i marrëdhënieve. Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit vlerësohet ende i pamjaftueshëm, ndërsa të dyja palët ftohen t’i përmbushin detyrimet e tyre pa vonesa të mëtejshme.
Në të kundërtën, paralajmëron Komisioni, Kosova dhe Serbia rrezikojnë të përballen me pasoja politike dhe ekonomike, si dhe të mbeten prapa në procesin e integrimit, në një kohë kur procesi i zgjerimit të BE-së ka marrë sërish hov.
Në rajon, Mali i Zi vlerësohet si vendi më i përparuar në procesin e integrimit dhe mund t’i përmbyllë negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti.
Shqipëria renditet e dyta për nga përparimi, pasi ka përmbushur standardet e ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit. Për të dyja vendet, Komisioni Evropian ka paraqitur udhërrëfyes me afate konkrete për përmbylljen e mundshme të negociatave të anëtarësimit.

