Një tjetër figurë e njohur publike pritet t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Berat Rukiqi, një ekonomist, ish-udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, pritet të aderojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës së shpejti, ka marrë vesh Paparaci nga burime të mirinformuara.
Aderimi i Rukiqit në LDK pritet të bëhet zyrtar nga partia opozitare ditëve të ardhshme, kanë bërë të ditur burime shumë të afërta me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Berat Rukiqi ushtroi pozitën e kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) për një mandat katër-vjeçar, nga viti 2018 deri në 2022.
Para se të udhëhiqte Odën Ekonomike, ai kishte zhvilluar karrierë të gjatë në sektorin publik dhe privat, duke qenë i angazhuar për një vit në Zyrën e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, 11 vjet në pozita të ndryshme në Odën Ekonomike të Kosovës, si dhe 10 vjet si staf i rregullt në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”.
Për katër vjet, ai kishte ushtruar funksionin e kryesuesit të Bordit të Drejtoreve të KEK-ut.