Kandidati për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, mbrëmë vonë vizitoi hapësirën e lojërave elektronike “Brutal Gaming” në lagjen Dardania. Ai u ndal te rëndësia që kanë këto ambiente për të rinjtë, duke theksuar se përtej lojës dhe argëtimit, ato shërbejnë si mundësi për zhvillimin e aftësive konkuruese dhe bashkëpunuese.
Osmani tha se mbështetja e të rinjve është një ndër prioritetet kryesore të tij dhe paralajmëroi një projekt të madh për të ardhmen: ndërtimin e Qendrës Inovative në Vragoli. Kjo qendër do të shërbejë si hapësirë ku të rinjtë do të kenë mundësi të zhvillojnë ide kreative, të punojnë në projekte të reja dhe të shndërrojnë pasionin e tyre në sukses të prekshëm.
“Ne besojmë fuqishëm se Fushë Kosova ka potencial të madh rinor, prandaj po krijojmë mundësi konkrete që kreativiteti dhe talenti i tyre të marrin formë të re. Qendra Inovative në Vragoli do të jetë vendi ku idetë bëhen realitet”, u shpreh Osmani.
Me këtë nismë, ai theksoi se Fushë Kosova do të ecë përtej kufijve të zakonshëm të zhvillimit, duke e shndërruar komunën në shembull për mbështetjen e të rinjve dhe inovacionit.