Telenews

“Betejë e papërballueshme”: Qytetarët ankohen me rritjen e vazhdueshme të çmimeve

Çmimet e produkteve esenciale, si qumështi, djathi, vaji, vezët dhe artikuj të tjerë ushqimorë në vendin tonë po vazhdojnë të shënojnë ngritje, e bashkë me to është shtrenjtuar edhe kostoja e shërbimeve tjera për qytetarët në Kosovë.

Qytetarët ankohen se me pagat që i kanë, çmimet aktuale janë të papërballueshme. Ndërsa ekspertë të ekonomisë thonë se ngritja e çmimeve po ndodh për shkak të mungesës së konkurrencës së drejtë në treg dhe importit të lartë të mallrave.

Shteti ynë ka importuar mallra në vlerë mbi 5 miliardë euro, vetëm nga muaj janar deri në shtator të këtij viti. Vlera e importit është rritur me rreth gjysmë miliardi euro në këtë periudhë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton KosovaPress.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në një mesatare në shtator shënuan rritje (inflacioni) prej 4.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Krahas të ardhurave mujore në Kosovë, sipas ASK-së, pensioni bazik në vendin tonë është 120 euro, paga minimale 350 euro bruto dhe paga mesatare 639 euro për vitin 2024.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për këtë situatë, duke e cilësuar të papërballueshme për xhepin e tyre. Ata kërkojnë më shumë angazhim nga institucionet përkatëse për të kontrolluar tregun dhe çmimet.

Qytetari Bislim Bislimi thekson se këto çmime janë të larta krahasuar me të ardhurat mujore në Kosovë.

“Janë rritur të gjitha produktet, por nuk ka inspektorë. Katastrofë, rrogat e ulëta. Nuk ja vlen duke i krahasuar rrogat që i marrim këtu, me çmimet nuk janë askund, nuk përputhen”, ka thënë Bislimi.

Ndërsa Mirsad Krasniqi vlerëson se rritja e çmimeve nuk është e arsyeshme dhe paraqet një barrë për buxhetin familjar.

“Jo të arsyeshme sipas meje dhe që domethënë një ngarkesë për buxhetin e qytetarëve”, potencon Krasniqi.

Një qytetar tjetër, theksoi se çmimet po rriten vazhdimisht dhe sipas tij, kjo është e papërballueshme për konsumatorët e vendit.

Përballë kësaj situate, njohës të çështjeve ekonomike po theksojnë mungesën e politikave konkrete për ta zbutur këtë trend negativ.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, deklaron për KosovaPress se ngritja e çmimeve po ndodh për shkak të mungesës së konkurrencës së drejtë në treg dhe varësisë së vendit nga importi i madh i mallrave.

Sipas tij, ka politika që mundet me ndërmarrë Qeveria në detyrë, që të lehtësohet barra e rëndë që mund ta paguajnë qytetarët apo konsumatorët.

“Në mungesë të konkurrencës së drejtë mes prodhuesit vendor dhe importit në mënyrë të vazhdueshme, sidomos me muajt e sezonit, i kanë ngritur çmimet. Natyrisht që konkurrenca vendore nuk është aq e përgatitur e aq e fortë sa t’i ballafaqohet drejtpërdrejt konkurrencës ndërkombëtare. Prandaj vazhdimisht i nënshtrohemi politikave të tregtarëve. Kosova është ekonomi e lirë e tregut dhe çmimet rregullohen sipas kërkesës dhe ofertës, nuk ka mekanizëm tjetër që mundemi me rregullua, por ka politika që mundet me ndërmarrë qeveria që të lehtësohet barra e rëndë që mund ta paguajnë qytetarët apo konsumatorët”, ka thënë Mulaj.

Nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku ka theksuar se përveç ndikimeve të jashtme, mungesa e planifikimit shtetëror e ka lënë konsumatorin pa mbrojtje.

“Tregtarët tjerë që janë importues, ata e kanë në dorë politikën e çmimeve të importit dhe kjo vërehet më së miri nëse bëjmë krahasimin e çmimeve të artikujve që ne i importojmë në vende prodhuese, te ne dhe te disa shtete tjera. Ato çmime si në shtetet e BE dhe tjerat janë më të ulëta se te ne në Kosovë.. Ne duhet të jemi të organizuar dhe të bëjmë një presion të kulturuar, demokratik të qeverisë, në mënyrë që qeveria mos t’i mbështes së tepërmi bizneset e t’i harrojë qytetarët sepse konsumi është komponenti kryesore sociale-ekonomike. Ne ndihemi si bonjak, sepse qeveria ndryshe sjellët me të tjerët, ndryshe me ne”, ka thënë Kaçaniku.

Ndërsa, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk janë deklaruar për KosovaPress nëse janë duke i monitoruar (inspektuar) çmimet në Kosovë.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit për muajin shtator 2025 ishte më i lartë, në një mesatare prej 4.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë 2024, ndërsa inflacioni mujor ishte -0,2 për qind në shtator 2025, njoftoi Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në raport thuhet se rritja e çmimeve të konsumit vjen për shkak të ngritjes së çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet: pushime të organizuara 23,1%; bileta të fluturimeve 22,5%; energji elektrike 17,4%; kafe, çaj dhe kakao 14,2%; pemë 13,0%; mirëmbajtje dhe riparime të pajisjeve personale të transportit 12,8%; mish 12,1%.

Po ashtu sipas ASK-së rritja vazhdon te shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit 10,4%; qumësht, djathë dhe vezë 8,8%; shërbime hoteliere 8,3%; shërbime ambulantore 7,3%; vajra dhe yndyrna 6,8% dje perimet 5,8%).

Inflacioni dhe pasiguria politike janë dy shqetësimet kryesore për qytetarët kosovarë, thuhet në një hulumtim të Valicon i titulluar “New Normal Study”, i përfunduar në periudhën 18 deri 21 gusht të këtij viti në shtete të rajonit, përfshirë edhe vendin tonë.

Ky hulumtim nxjerrë në pah gjithashtu se 40 për qind e kosovarëve kanë theksuar se jeta e tyre është më e keqe sot sesa pesë vjet më herët.

Qeveria në detyrë, dje mori vendim për rritjen e pensioneve në 150 euro, si dhe shtesave për fëmijë për 50 për qind nga muaji nëntor i këtij viti. Po ashtu, qeveria në detyrë mori vendim për rritjen e pagës minimale për vitin 2026. Paga minimale u tha se do të rritet në dy faza: nga 1 janari i vitit 2026 paga minimale do të jetë 425 euro, ndërkaq nga korriku i vitit 2026 paga minimale do të bëhet 500 euro.

Të ngajshme

Nga kjo datë rriten pensionet dhe shtesat për fëmijë

Erzana Fazliu

Paga minimale, Murati sot takohet me përfaqësues të bizneseve

Erzana Fazliu

Sa është vend i sigurt Kosova për investime?

Erzana Fazliu