Të premten e 6 gushtit, grupe të maskuara të serbëve kanë terrorizuar familjet kosovare duke ia ndaluar kalimin nëpër territorin e Serbisë, në prani të policisë serbe.
Në lidhje me këtë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se liria e tubimeve paqësore, duke respektuar ligjin është thelbësore në çdo demokraci, por sipas tij, tubimet e 6 shtatorit nuk bëjnë pjesë në këtë kategori.
”Liria e tubimit paqësor, duke respektuar ligjin, është absolutisht thelbësore në çdo demokraci. Megjithatë, personat e maskuar në Serbi, pranë pikave të përbashkëta të kalimit, që bllokojnë trafikun që vjen nga Kosova dhe frikësojnë udhëtarët, nuk bëjnë pjesë në këtë kategori”, tha Stano për Klankosova.
Tutje, Stano tha se marrëveshja e dialogut e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes, e përcakton qartë parimin e lirisë së lëvizjes brenda ose përmes territorit të palës tjetër.
”Është përgjegjësi e secilës palë që t’i zbatojë ato dispozita në territorin e saj, në këtë rast Serbisë”, tha Stano.
Të shtunën pasdite janë rihapur të gjitha pikat kufitare me Serbinë, me t’u larguar bllokadat në veri të cilat u vendosën të premten e 6 shtatorit, shkruan Reporteri.net.
Një veprim i tillë u bë si shenjë proteste kundër mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ky zhvillim dëshmon dështimin e përpjekjeve të Serbisë për destabilizim në Kosovë dhe rajon.
“Serbia është në panik, dhe përpjekjet e saj për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit po dështojnë,” tha Sveçla, duke theksuar përkushtimin e institucioneve kosovare për të mbrojtur sovranitetin.
Presidentja Vjosa Osmani tha se strukturat ilegale në veri po pengojnë integrimin e komunitetit serb.
“Bllokadat në kufi tregojnë lidhjen e drejtpërdrejtë midis Serbisë dhe bandave kriminale që veprojnë në veri” deklaroi Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e luftës kundër këtyre strukturave për stabilitetin e vendit. Osmani u bëri thirrje aleatëve që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë siç thotë ajo, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve.