Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka komentuar debatet rreth emrit të kryetares së Kuvendit, duke theksuar se Albulena Haxhiu ka pasur përkrahjen e plotë të partisë që nga fillimi. Sipas saj, tentativa për të përmendur emra alternativë ka pasur si qëllim uljen e figurës së Haxhiut.
“Për vetë faktin që Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar, e kemi përkrahur të gjithë si kandidate për kryetare të Kuvendit dhe të gjithë kemi menduar se është personi i duhur. Është përmendur emri im, janë përmendur emra të kolegëve, specifikisht për ta ulur figurën e Albulena Haxhiut – dhe ne kemi thënë: jo. Albulena Haxhiu është personi i duhur për këtë detyrë që i është caktuar nga subjekti ynë politik, në të cilin të gjithë ne besojmë”, tha ajo në emisionin RTK Prime.
Bogujevci: Nuk po bllokohet Haxhiu, por komisioni për votim të fshehtë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, duke folur në “RTK Prime” për dështimin e radhës në konstituimin e Kuvendit, tha se problemi nuk qëndron te kandidatura e Albulena Haxhiut, por te mungesa e votimit për krijimin e komisionit që do të mundësonte votimin e fshehtë.
“Sot ka qenë seanca e 18-të për të votuar komisionin e votimit të fshehtë, për të mundësuar zgjedhjen e kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gjithmonë po flitet se dështoi votimi për Albulena Haxhiun, por kjo nuk është e vërtetë. Në fakt, nga ana e opozitës nuk po votohet fare komisioni,” tha Bogujevci.
Ajo theksoi se votimi i fshehtë është një mekanizëm i përdorur edhe në vende të tjera demokratike, për të tejkaluar situatat kur nuk ka konsensus për votimin e hapur.
“Kemi parë shembuj të tillë edhe në vende të tjera. Votimi i fshehtë është përdorur si mjet për të dalë nga situata ku mungon pajtueshmëria për votimin e hapur. Është një mundësi tjetër për të ecur përpara,” u shpreh deputetja.
Ajo tha se partia fituese ka ndërmarrë të gjithë hapat e mundshëm për të dalë nga situata e krijuar, por ka hasur në një bllokadë të vazhdueshme nga opozita, e cila po refuzon të votojë komisionin për votimin e fshehtë.
“Nëse janë kundër komisionit, pse nuk po votojnë kundër? Gjithmonë po hidhet topi te ne, duke thënë se ‘ju i keni fituar zgjedhjet e fundit, pse nuk po merrni hapa’. Ne i kemi ndërmarrë të gjithë hapat e mundshëm për të dalë nga kjo situatë – por nuk ka pasur vullnet nga pala tjetër,” deklaroi Bogujevci.
Ajo rikujtoi se zgjedhjet e fundit e kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje fituese me 48 ulëse në Kuvend dhe tha se, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, partia fituese ka të drejtën ekskluzive për të propozuar dhe zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
“Ne kemi dalë fitues në zgjedhje, kemi arritur 48 ulëse – ky ka qenë vullneti i popullit. Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, partia fituese e ka të drejtën ekskluzive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit,” tha Saranda Bogujevci.
Bogujevci, ndër të tjera, foli edhe për marrëveshjen politike që i është ofruar Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ajo deklaroi se votuesit e LDK-së e mbështesin më shumë një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje sesa me partitë e tjera.
“Ne i kemi përgjegjësitë tona, programin dhe politikat tona. Në aspekt të kërkesës dhe interesit qytetar, kjo ka qenë zgjedhja më e mirë e mundshme që është kërkuar,” u shpreh ajo.
Bogujevci theksoi se ekzistojnë zëra brenda partive opozitare që janë të interesuar të votojnë dhe të ecin përpara, por sipas saj, votimi i fshehtë do ta mundësonte këtë dhe do ta zgjidhte situatën aktuale.