Telenews

Bytyqi: Kosova s’ka kohë për të humbur, institucionet duhet të formohen urgjentisht

Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, nga foltorja e Kuvendit ka kërkuar formimin e institucioneve të Kosovës, duke thënë se vendi përballet me probleme dhe sfida që kërkojnë zgjidhje urgjente.

Bytyqi ka deklaruar se si përfaqësues të popullit nuk mund të qëndrojnë të heshtur përballë problemeve me të cilat po përballet Kosova.

“E ne si përfaqësues të popullit nuk mund të qëndrojmë të heshtur e ku Kosova ka probleme e sfida të cilat kërkojnë zgjidhje. Para vetes janë shumë tema të cilat duhet të zgjidhen me urgjencë nga spektri politik. Të gjithë e dimë që Kuvendi e institucionet është e nevojshme të formohen, sepse nafta në vendin tonë është 1.78 euro”, tha Bytyqi.

Ajo ka renditur disa nga çështjet që, sipas saj, kërkojnë funksionalizimin e Kuvendit dhe institucioneve.

“Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse ligji i akcizës duhet të shfuqizohet. Kjo e drejtë dhe ky fakt ka krijuar alarm me faktin e faktorizimit të serbëve dhe votimit të tyre në shtetin tonë. Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse çmimi i produkteve të shportës familjare ka kaluar në ekstrem, duke vështirësuar jetën e mirëqenien e qytetarëve.

Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse në shtetin tonë janë mijëra të rinj të diplomuar, të cilët kanë nevojë për punë, dinjitet e vazhdim të jetesës në Kosovë”, tha ajo.

Bytyqi ka folur edhe për problemet me furnizimin me energji elektrike, pagat dhe largimin e qytetarëve nga Kosova.

“Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse Prishtina dhe plot qytete e fshatra në Kosovë nuk kanë energji elektrike me orë të tëra, edhe pse jemi në stinën e verës. Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse kemi mbetur vendi me pagat më të vogla në rajon. Dhe pa humbur kohë duhet të rriten pagat e mjekëve, policëve, mësimdhënësve, zjarrfikësve, gjyqtarëve, doganierëve. Kuvendi e institucionet duhet të bëhen sepse kemi ikje e largim të madh të qytetarëve nga vendi. Dhe ne duhet të gjejmë formën që ta ndalim këtë trend shqetësues për të ardhmen e Kosovës”, u shpreh ajo.

Në fund, deputetja e Aleancës ka kritikuar mënyrën se si, sipas saj, po trajtohen problemet e vendit dhe ka kërkuar që zgjidhjet të gjenden në institucionet e Kosovës.

“Të dashur qytetarë, të dashur kolegë të Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha këto tema e probleme nuk zgjidhen në fusha futbolli, e as në tryeza ndërkombëtare, e as në pushime e në vende luksi dhe duke u fshehur pas akuzave e kalkulimeve politike. Këto urgjenca kombëtare zgjidhen këtu, në Kuvendin e Kosovës.

Andaj ne nuk kemi kohë për të humbur, prandaj ftesa dhe kërkesa jonë është që institucionet e Kosovës dhe Kuvendi, Presidenca të krijohen, dhe ne si Aleancë e përkrahim dhe e mbështesim çdo nismë dhe punë të mirë në interes të qytetarëve të Kosovës”, tha në fund Bytyqi.

Të ngajshme

Konfiskohen armë, municion e uniforma në veri, policia del në konferencë të jashtëzakonshme

Yllka Gashi

Nura nga foltorja e kuvendit: VV-ja s’ka të drejtë ta mbajë peng parlamentin

Yllka Gashi

Rifillojnë punimet për projektin e shumëpritur në Deçan

Yllka Gashi