Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Jakup Nura, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se pas zgjedhjeve institucionet e Kosovës duhet të konstituohen dhe se vullneti i qytetarëve duhet të respektohet.
Nura ka thënë se partia që ka fituar zgjedhjet ka të drejtë të propozojë kryetarin e kuvendit, por jo edhe ta mbajë peng Kuvendin.
“Sot nuk po flasim për një parti politike. Po flasim për Kosovën. Qytetarët votuan. Vullneti i tyre është shprehur. Tani duhet të respektohet vullneti dhe të ndërtohen institucionet. Partia që ka fituar zgjedhjet ka të drejtë ta propozojë kryetarin e kuvendit. Por nuk ka të drejtë ta mbajë peng kuvendin. Fitorja në zgjedhje është mandat për të qeverisur, jo licencë për ta bllokuar shtetin”, ka deklaruar Nura.
Ai ka theksuar se Kushtetuta dhe rregullorja e kuvendit përcaktojnë procedurat e seancës konstituive dhe se ajo duhet të vazhdojë deri në konstituimin e kuvendit.
“Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit përcaktojnë qartë procedurat e seancës konstituive. Duhet të vazhdojë deri në konstituimin e Kuvendit. Ndërprerja nuk mund të përdoret si mjet për zvarratje të pafundme. 48 orë nuk janë javë, nuk janë muaj. Nuk janë pafundësi. Kryesuesi i përkohshëm nuk është kryetar partie, as kryetar parlamenti. Ai nuk është përfaqësues i interesave të një grupi politik, është aty për ta udhëhequr procedurën. Prandaj duhet të themi qartë: një funksion teknik nuk mund të shndërrohet në armë politike”, ka thënë ai.
Sipas Nurës, nëse një funksion që duhet të garantojë procedurën përdoret për ta bllokuar atë, atëherë bëhet fjalë për problem institucional.
“Kur një pozitë që duhet të garantojë procedurën përdoret për ta bllokuar procedurën, atëherë nuk kemi më një problem procedural, kemi një problem institucional. Dhe përgjegjësia nuk mund të ketë vetëm drejtuesi i seancës. Përgjegjësia shkon edhe te ata që po e përdorin këtë situatë për interesat e tyre politike. Ju fituat zgjedhjet, por nuk e keni fituar kuvendin. Ju nuk e keni fituar Kosovën. Nuk i keni fituar institucionet. Dhe mbi të gjitha, nuk e keni fituar të drejtën për ta mbajtur shtetin peng”, tha ai.

