Me mijëra të rinj po ikin gati çdo muaj nga Kosova për të punuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Shkaku i largimit të tyre, shumë kompani janë ankuar për mungesë të punëtorëve profesionist.
Por, Kosova ka filluar të bëhet vend atraktiv për punëtorët e huaj.
Brenda një muaji, 47 të huaj kanë paraqitur kërkesat për vizë punë në Kosovë.
“Numri i aplikuesve, të cilët kanë paraqitur kërkesë për vizë D-leje qëndrim në kategorinë e punës për periudhën kohore nga muaji Janar deri më 14 Shkurt të vitit 2023 gjithsejtë janë 47. Duke iu referuar periudhës kohore të lartpërmendur, kryesisht janë nga shtetet, të cilat shteti i Kosovës ka regjim të vizave”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Shqip.com.
Megjthatë, kjo ministri nuk ka dhënë detaje se nga cilat vende vijnë kërkesat për marrje të lejes për të punuar në Kosovë.
Tutje nga kjo ministri, kanë bërë të ditur se kërkesa për leje qëndrim të përkohshëm duhet të parashtrohet në misionin diplomatik apo konsullor të Republikës së Kosovës.
“Në bazë të legjislacionit në fuqi, afati për shqyrtimin e kërkesave vendoset brenda 60 ditëve. Në bazë të legjislacionit në fuqi, lëshohet për një periudhe deri në 1 vit, përveç rasteve kur është paraparë ndryshe me këtë ligj. Të njëjtit nuk mund të pajisen me leje qëndrim të përhershëm”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Njohës të ekonomisë e cilësojnë të panevojshëm marrjen e fuqisë punëtore nga jashtë.
“Republika e Kosovës aktualisht nuk ka nevojë për fuqi punëtore nga vendet aziatike, ndonëse ka mungesë të fuqisë punëtore në disa dikastere, prapë nuk jemi në situatën kaotike që me kërku punëtor nga jashtë vendit. Me trendin aktual, vendi ynë rrezikon të mbetet pa fuqi punëtorë nëse nuk ndërmirren hapa konkret stimulues për punëtorët vendor, ka vite që sektori privat anashkalohet, përbuzët nëpërkëmbet nga qeveritë e vendit”, ka thënë njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri për Shqip.com.
Shoqatat e bizneseve kanë treguar arsyen se pse bizneset vendore kanë rritur interesimin për të marrë punëtorë nga jashtë.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë se një nga arsyet kryesore është mundësia e ofrimit të pagesave më të ulëta.
“Bizneset vazhdimisht kërkojnë fuqi punëtore më të lirë, kurse punëtorët vazhdimisht kërkojnë vende të punës ku paguhen më shumë. Duke u nisur nga ky realitet, bizneset po mendojnë që fuqia punëtore nga jashtë është më e lirë dhe kanë filluar interesim që të vijnë punëtorët qoftë nga Turqia apo Bangladeshi apo të tjera”, tha Shahini për Shqip.com.
Shahini deklaroi se punëtorët nga jashtë, po merren për disa profesione që nuk duan shumë trajnime.
“Ata janë duke ardhur këtu për të punuar në disa profesione të ndryshme duke përfshirë; ndërtimtarinë dhe vendet të tjera të punës që janë më popullore në Kosovë, e që janë fushat agrare dhe fushat e ndërtimeve të ndryshme. Në profesione që nuk kërkojnë shumë përgatitje, por me një trajnim të shkurt, mund të përfundojnë në një vend të punës”.
Por, ndryshe mendon ekonomisti Lulzim Beqiri.
“Nëse veç duhet me marrë punëtor nga jashtë Kosovë, nuk besoj se do mund të adaptohen ata në këtë treg, synim i secilit janë vendet perëndimore jo Kosova. Këtu mund të jenë përkohësisht dhe nuk besoj se ka me ndiku në mos rritjen e pagave duke marrë për bazë kulturën e punës në vendin tonë”.
Ky interesim i bizneseve për ‘rekrutim’ të punëtorëve nga jashtë, sipas kreut të AKB-së, Agim Shahini, do ta dëmtojë ekonominë e Kosovës.
“Kjo do të ndikoj negativisht në ekonominë e Kosovës për shkak se ata që do të vijnë në Kosovë, i marrin pagat e veta dhe do t’i dërgojnë pjesën dërrmuese në familjet e tyre dhe ato para do të hiqen nga qarkullimi i brendshëm i Kosovës. Kemi informacione se bizneset po marrin punëtorë nga jashtë, për këtë janë duke hezituar që t’i lajmërojnë ata punëtorë prandaj, inspektorati i punës, duhet të jetë aktiv që t’i identifikojë këto kompani dhe këta punëtorë në baza ligjore dhe joligjore”, ka deklaruar Shahini.
Shqip.com ka biseduar me disa biznese, sidomos ato të sektorit të ndërtimtarisë, të cilat kanë pranuar se janë duke punësuar punëtorë që vijnë nga jashtë.
Ndërkohë, para pak kohësh Shqip.com ka raportuar se si një agjenci punësimi nga Bangladeshi, kishte ftuar qytetarët e këtij vendi që të aplikojnë për t’u punësuar në Kosovë.
Kjo agjenci ka njoftuar se punëtorët do të jenë të angazhuar në; Ndërtim, Fabrikë, Hoteleri/Restaurant, Sektor të shërbimeve, Bujqësi, etj.

