Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, sot kanë arrestuar në Gjakovë, Hasan Krasniqin, kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.
Specialja ka bërë të ditur se Krasniqi dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe se i njëjti është ndaluar për 48 orë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjakovë, kanë realizuar sot një operacion policor në Gjakovë. Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e një personi H.K., të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, i cili me vendim të prokurorit nga PSRK është ndaluar për 48 orë”, u tha në përgjigjen e Speciales.
Gjithashtu, nga Prokuroria në njoftim thanë se kanë sekuestruar një laptop, telefon, dy kontrata që ndërlidhen me rastin, si dhe 22 mijë euro.
Mëngjesin e së martës, Reporteri publikoi edhe pamje nga bastisja që u bë në shtëpinë e Hasan Krasniqit.
Një ditë më parë u raportua se ndaj Krasniqit është ngritur edhe kallëzim penal për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik lidhur me një tender të Ndërmarrjes.
Në fillim të muajit në disa audio-incizime që u publikum, dëgjohej kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, teksa flet për negocim Kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë Kompaninë për të nënshkruar Kontratën, për një tender për servisimin e veturave.
Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, në gusht të vitit të kaluar ishte është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.
Ai ishte kapur nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi rezultoi se kërkohej ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.
Hasan Krasniqi në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021 ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Gjakovës, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e saj. Në janar të vitit 2022, ai ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv në KRU “Gjakova”. /Reporteri.net/.