Telenews

ÇITAKU THOTË SE RAPORTI I ”FREEDOM HOUSE”, KU PËRMENDET THAÇI ËSHTË I PASAKTË

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka quajtur të pasaktë raportin e fundit të organizatës amerikane “Freedom House”, ku është përmendur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në raport thuhet se figura e tij ka lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, e që luan rol të rëndësishëm në politikë dhe ka ndikim në vendosjen e liderëve kryesorë.
“Presidenti Thaçi pothuajse dy vjet po mbahet padrejtësisht në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, duke iu mohuar e drejta për mbrojtje në liri. Duke mos qenë as fizikisht në Kosovë, e aq më pak politikisht aktiv, do të doja ta di formulën magjike që sipas raportit në fjalë, Thaçi e paska përdorur për të zgjedhur e emëruar njerëz në Kosovë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Çitaku, ka thënë se raportet e tilla, janë “pa burim informacioni dhe pa asnjë fakt të vetëm, që Prokuroria në Hagë mezi pret t’i keqperdor për t’i lënë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe më tutje në paraburgim”.
Po ashtu, ajo ka treguar se të martën e 19 prillit e ka vizituar ish-presidentin i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.
“Këto lloj raportesh, po të mos ishin edhe të dëmshme, do të ishin thjeshtë qesharake. E kam vizituar ish Presidentin në Hagë. Së fundi dje. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij e kanë para vetës një betejë të rëndësishme për historinë e luftës sonë çlirimtare. Sigurisht, edhe nga burgu, i gëzohen çdo suksesi të Kosovës, por as përpjekjen më të vogël nuk e bëjnë për të pasur çfardo lloj ndikimi politik”, shtoi ajo.
Ndryshe, më 26 tetor të vitit 2020, në Gjykatën Speciale në Hagë ishte konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Gjykata Speciale në Hagë.

Ndërkaq, më gjashtë prill të vitit 2022, Kolegji i Apelit të Gjykatës Speciale, ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për lirim nga paraburgimi.
Sipas Apelit, gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka gabuar në konstatimin se periudha që Thaçi ka kaluar në paraburgim mbetet e arsyeshme.
Në vendim thuhej se Kolegji urdhëron Thaçin dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të paraqesin publikisht versionet e tyre të redaktuara brenda dhjetë ditëve nga marrja e njoftimit për këtë vendim.

Të ngajshme

Rusia i pranon gabimet gjatë mobilizimit të rezervistëve

KushtrimGuraj

“E kanë kallë Kosovën për pushtet”, gazetari Ridvan Berisha përplaset keq, autori e ndërpret emisionin

KushtrimGuraj

Kështu po duket Dhurata sonte gjatë një koncerti

KushtrimGuraj