Në dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme e udhëhequr nga Xhelal Sveçla kishte nënshkruar kontratë me procedurë emergjente, me kompaninë gjermane “Veridos Gmbh”, për furnizimin me material për pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shoferë. Vetëm katër muaj me parë ndaj kësaj kompanie ishte ngritur një aktakuzë për fshehje të pasaportave.
Ndaj kësaj kompanie Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë në gusht të viti të kaluar në drejtim të veprës penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.
Kontrata e MPB-së me kompaninë e cila kishte probleme me ligjin në kohen kur po nënshkruhej, peshonte plotë 4 milionë euro.
Në 22 gusht të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj kompanisë dhe personave përgjegjës me akuzën se kjo kompani kishte tentuar t’i fuste në Kosovë 25 mijë pasaporta pa i doganuar.
Dosja tregon se të akuzuar në këtë rast janë dy persona V.Uj dhe R.W, të cilët janë akuzuar si persona fizikë ndërsa kompania “Veridos Gmbh”, edhe si subjekt juridik.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, i pandehuri V.U në pikën doganore të Merdares në faturën e prezantuar ai ka paraqitur vetëm 175 mijë pasaporta, derisa pas kontrollit nga ana e zyrtarëve doganorë ka rezultuar që aty janë edhe 25 mijë pasaporta të tjera të padeklaruara
Ndërsa i pandehuri i dytë R.W (shtetas gjerman) në vazhdimësi që nga viti 2016, 2017, 2018 dhe 2020 në pikën doganore të Merdares në cilësinë e personit përgjegjës dhe të autorizuar të subjektit afarist, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka bërë shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.
R.W siç thuhet në aktakuzë, përmes personit të autorizuar për zhdoganimin e mallit, ka prezantuar dokumente të rrejshme lidhur me zhdoganimin e mallit. Aktakuza specifikon se shmangia e pagesës së taksave doganore kap shumën e 24 mijë e 651 eurove dhe tatimin mbi vlerën e shtuar 148 mijë e 607 euro.
Sipas aktakuzës, e mbështetur në disa prova e fakte të cilat tregonin se kompania akuzohet se e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës me 173,258 euro.
Dogana e Kosovës më 23 shkurt të vitit 2021 kishte dërguar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës në lidhje me veprimet që dyshohet se i kanë kryer dy të pandehurit si dhe kompania gjermane.