Përfaqësuesja nga Lindjen Mesme mposhti me përmbysje 1-2 Argjentinë në “Lusail Iconic Stadium”, duke I dhënë një goditje të madhe Lionel Messit me shokë, të cilëve nuk do t’u falet asnjë gabim në dy ndeshjet e mbetura kundër Poloninë dhe Meksikën.
Argjentina humbi një përballje që duhej ta fitonte pse jo me diferencë golash, teksa vetëm gjatë pjesës së parë iu anuluan tre gola për pozicion jashtë loje.
E zhbllokoi takimin Lionel Messi me një 11-metërsh të akorduar nga sistemi VAR, por dominimi i Argjentinës nuk u reflektua me gola të tjerë edhe për çështje fati.
Por fatin, nëse nuk e shfrytëzon, mund të të kthehet kundër. Sapo nisi pjesa e dytë, Arabia Saudite shënoi golin e barazimit me Al Sherhin dhe vetëm pesë minuta më vonë tundi rrjetën edhe Al Dawsari.
Edhe pse pati kohën e mjaftueshme për të kthyer rezultatit, Argjentina dështoi të shënonte qoftë golin e barazimit, duke marrë një goditje të rëndë që në start.
Vlen të përmendet se, e gjithë skuadra e Arabisë Saudite vlen rreth 25 milion euro, kurse ajo e Argjentinës hiç më pak se 645 milion euro, diferencë e madhe e cila nuk u reflektua në fushë.


