Emri Aushvic lidhet me krimet më të tmerrshme dhe vuajtjet e paimagjinueshme. Edhe sot e kësaj dite kampi i shfarosjes ngritur prej nacionalsocialistëve mban vulën e vet në historinë gjermane.
Fanfara buçet: Në Gjermaninë e vitit 1945 kushdo e dallon menjëherë ulërimën e bezdishme bombastike të fanfarës në revistën javore televizive. Spikeri çirret me zë propagandues sikur ka për të njoftuar një sukses dhe jo një betejë në tërheqje e sipër.
Me çdo metër që Ushtria e Kuqe avancon në terren afron një hap më shumë edhe çlirimi i të burgosurve të mbetur në kampin e përqendrimit në Aushvic. Por do të zgjasë edhe dy javë të vështira para se të ndodhë kjo. Më në fund, në pasditen e 27 Janarit 1945, në një ditë të shtunë, trupat sovjetike mbërrijnë në Auzhvic. Njësitë gjermane rezistojnë deri në fund. 231 ushtarë të Ushtrisë së Kuqe humbasin jetën në luftën për çlirimin e kampit të shfarosjes. Rreth 7.500 të shpëtuarit u ngjajnë më shumë të vdekurve se sa të gjallëve.
Aushvici është kampi më i madh dhe më i tmerrshëm i përqendrimit dhe shfarosjes. Organizator i vrasjeve masive është Adolf Eichmann. Ai kryeson departamentin e ashtuquajtur për çështje hebreje në Zyrën e Sigurimit të Rajhut. Me përfundimin e luftës, Eichmann me ndihmën e Vatikanit u largua për në Argjentinë.
Kampi i përqëndrimit në Aushvic, rreth 60 kilometra në jugperëndim të Krakovit u ngrit në pranverën e vitit 1940. Në shtator të vitit 1941, komandanti i kampit Rudolf Hess jep urdhërin që të përdoret gazi me helm “Ciklon B” për të vrarë të burgosurit. Ciklon B përdorej fillimisht si një mjet dezinfektues, tymi i tij shkakton vdekjen brenda disa minutave. Që nga viti 1942, trupat SS i deportojnë hebrejtë nga e gjithë Evropa në Aushvic. Nga viti 1943, hebrejtë, romët dhe të përndjekurit e tjerë nga nazistët vriteshin në mënyrë “industriale”: Të burgosurit vriteshin në katër dhoma gazi dhe më pas digjeshin në furra të mëdha.

