Zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës, gjatë ushtrimit të kontrolleve rutinore në pikën e kalimit kufitar Vërmicë, kanë ndaluar për kontroll një automjet të tipit Volkswagen që po hynte në Republikën e Kosovës.
Bazuar në analizën e rrezikut dhe procedurat standarde të kontrollit, është kryer kontrolli fizik i automjetit, gjatë të cilit janë zbuluar disa thasë të mbushur me mallra të natyrës komerciale, të cilat nuk ishin deklaruar pranë Doganës së Kosovës. Vlera e përafërt e mallrave të zbuluara vlerësohet të jetë rreth 15,000 euro.
“Gjatë intervistimit nga zyrtari doganor, drejtuesi i automjetit është pyetur nëse posedonte mallra ose mjete monetare për t’i deklaruar pranë autoriteteve doganore, mirëpo ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të paraqitur”, thuhet në njoftimin për media.
Në përputhje me kodin doganor dhe të akcizave Nr. 08/L-247, mallrat janë ndaluar përkohësisht në pikën e kalimit kufitar – Vërmicë, ndërsa ndaj rastit janë iniciuar procedurat administrative përkatëse, me qëllim të përcaktimit të përgjegjësisë dhe ndërmarrjes së masave të parapara me ligj.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e interesave fiskale të Republikës së Kosovës, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e kontrabandës, evazionit doganor dhe çdo forme të tregtisë së paligjshme. Njëkohësisht, Dogana u bën thirrje të gjithë udhëtarëve dhe operatorëve ekonomikë që të respektojnë detyrimin ligjor për deklarimin e mallrave gjatë hyrjes dhe daljes nga territori doganor i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim…

