Telenews

Dosja e Prokurorisë për rastin e 22 të ndaluarve nga operacioni “Qielli i Thyer” (DOC)

theret-nje-person-ne-qender-te-prishtines,-policia-arreston-te-dyshuarin

Sot gjatë ditës u publikua lista e plotë e emrave të të arrestuarve për trafikim me drogë dhe shpëlarje parash në aksionin e djeshëm të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, i quajtur operacioni “Qielli i Thyer”.

Të dyshuarit janë: Shemsi Bahtiri, Rexhep Nikçi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Buçetaj, Erduan Ismajli, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Ylli Musliu, Safet Ljajic, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardian Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy.

Personat e lartpërmendur janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “krim i organizuar”, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Veprat penale, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”.

Aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit.

Ndërkaq, Klankosova.tv ka siguruar ekskluzivisht edhe aktakuzën e Prokurorisë Speciale për grupin e të ndaluarve.

Sipas asaj që thuhet në aktakuzë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e lartpërmendur, në periudhën kohore nga fillimi i vitit 2019 e deri më datën 03.06.2025, në Kosovë dhe shtete të tjera, kanë blerë e shitur droga të llojeve të ndryshme me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare për vete.

Prokuroria thotë se të pandehurit, “duke qenë pjesë e këtij grupi kriminal të organizuar që merret me trafikun e lëndëve narkotike: kokainë, heroinë, marihuanë, nga shtetet e Amerikës së Jugut, Iranit dhe Turqisë, për në Kosovë, aktivitetin e tyre kriminal e realizojnë fillimisht duke aranzhuar porositë e narkotikëve nga shtetet e lartpërmendura dhe përmes pjesëtarëve të këtij grupi sigurojnë që narkotikun ta fshehin nëpër kontejnerë të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme, pajisje me bunker duke u kamufluar nëpër transport mallrash, përmes veturave të ndryshuara teknikisht, përmes rrugëve tokësore, porteve detare, përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e sjellin në Kosovë, kurse më pas pjesëtarët e këtij grupi kriminal e bëjnë përzierjen e narkotikut me sodë bicarbonat dhe përzierës tjerë me qëllim të shtimit të peshës”.

“Më pas e paketojnë me anë të një makine me presion dhe përsëri narkotikun e vendosin duke e kamufluar nëpër mjete të transportit të përmendura më lartë dhe e transportojnë duke e shitur tek blerësit në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete tjera të Unionit Evropian dhe një sasi në Kosovë dhe këtë aktivitet kriminal këta të pandehur e bëjnë edhe me bashkëpunim me persona të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës, identiteti i të cilëve personave ka gjasa të vërtetohet gjatë fazës së mëtejme hetimore, e me të cilat veprime ky grup kriminal ka arritur të përfitojë miliona euro përfitim pasuror të kundërligjshëm”, thuhet mes tjerash në dosjen e Prokurorisë, raporton Klankosova.tv.

Me këto veprime, të dyshuarit kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277…, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267.

Prokuroria, në aktakuzë thotë se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e lartpërmendur, në periudhën kohore nga fillimi i vitit 2019 e deri më datën 03.06.2025, në Kosovë dhe shtete të tjera, “me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar është e fituar përmes aktiviteti kriminal, pasuri kjo e fituar nga të pandehurit në mënyrën e përshkruar si në pikën e parë (I) të dispozitivit të kësaj kërkese, mjetet e tilla të fituara nga aktiviteti kriminal, një pjesë të tyre i transferojnë nëpër biznese të ndryshme, biznese këto të themeluara nga vetë të pandehurit dhe personat të tjerë, po ashtu një pjesë të pasurisë e konvertojnë në prona të luajtshme dhe të paluajtshme (si: objekte, vetura, banesa etj.), krejt këto veprime për të dukur se gjoja se këto pasuri janë të siguruara në mënyrë të ligjshme, krejt kjo me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe burimit të vërtetë të kësaj pasurie”.

 

PSRK-ja thotë se me këtë, të pandehurit në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 lidhur me 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës nr. 06/L-074, lidhur me nenin 56 par. 1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit Nr. 05/L-096.

Si dhe kur u iniciua rasti?

Prokuroria Speciale, për rastin e të ndaluarve të dyshuar për shitblerje të drogës, si dhe për shpëlarje parash, thotë se gjatë vitit 2024 dhe 2025, ka pranuar një pjesë të transkripteve të përgjimeve të aplikacionit SkyECC të cilat thotë se i ka siguruar nga shteti francez dhe ato të siguruara përmes EUROPOL dhe shteti belg, raporte këto të siguruara përmes bashkëpunimit të shtetit të Kosovës me EUROPOL (Agjencia e Bashkimit Evropian për Zbatimin e Ligjit) dhe ato të siguruara përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me shtetin francez.

“Sipas këtyre raporteve, në vitin 2021 pas një hetimit të gjatë në rastin ‘Limit’ nga Belgjika, Holanda dhe Franca, në një operacion policor përveç drogave dhe dëshmive të tjera kanë arritur të gjurmojnë dhe funksionalizojnë serverët e platformës SkyECC. Gjatë dekriptimit të të dhënave në këtë platformë, është parë e nevojshme që të inkorporohen dhe shtete të tjera varësisht nga vendi i përbërësve. Nga tri shtetet përgjegjëse është iniciuar operacioni “White Star” në cilin, pas kërkesave paraprake për të pasur qasje në këto të dhëna, është inkuadruar edhe Kosova në analizën e përdoruesve në territorin e Kosovës dhe bashkëbiseduesve të tyre”, thuhet mes tjerash në dosje.

Këto të dhëna më pas janë analizuar nga Policia e Kosovës dhe përmes raporteve analitike janë sjellë në Prokurorinë Speciale të Kosovës për hetim të mëtejmë.

Prokuroria Speciale, në dosjen e përgatitur për rastin “Qielli i Thyer”, thotë se më 16.08.2024, pas sigurimit të informatave nga raportet analitike të përmendura më lart, “fillimisht ka filluar hetimet ndaj të pandehurve: Kujtim Neziraj, Ardian Mazrekaj dhe Edin Berisha, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprat penale ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277…, lidhur me veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267… dhe vepra penale ‘Shpëlarja e parave’ nga neni 56…”.

Ndërkaq prokurorët, pasi kanë analizuar edhe një herë në detaje raportet analitike të përmendura më lart, “kanë arritur në përfundim se nga përmbajtja e Raporteve analitike është e domosdoshme që të bëhet zgjerimi i hetimeve edhe ndaj personave tjerë si pjesë e këtij grupi kriminal, ashtu që më datën 31.10.2024, 04.032025, 15.04.2025 dhe me datë 22.05.2025, janë zgjeruar hetimet edhe ndaj disa të pandehurve, për shkak të veprave penale ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277…, lidhur me veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ nga neni 267… dhe ‘Shpëlarja e parave’ nga neni 302…”.

Prandaj, duke u bazuar në hetimet dhe zbulimet, Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar ndaj të pandehurve se kanë kryer veprën penale të lartcekur, dhe kështu Prokurori i Shtetit ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Si pjesë e provave, në dosje përmenden “Transkripti i përgjimeve i siguruar nga shteti francez përmes rrugëve të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar”, “Transkripti i përgjimeve i siguruar nga shteti i Belgjikë dhe Holandës përmes EUROPOL, përmes rrugëve të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar”, “Të dhënat e hyrje daljeve kufitare për të gjithë të pandehurit”, “Raportet lidhur me zbatimin e urdhërkontrollit datë 03.06.2025”, “Një pjesë të transkripteve të përgjimeve të aplikacionit SkyECC për të pandehurit e përmendur më lart”, “Deklaratat e të gjithë të pandehurve të dhëna para policisë më datë 03.06.2025”, “Procesverbalet e urdhërkontrollit të realizuar tek të gjithë të pandehurit më datë 03.06.2025”, dhe “Vërtetimet për sekuestrimin e sendeve tek të pandehurit e lartpërmendur datë 03.06.2025”.

Ndërkaq, si arsye që të zbatohet kërkesa për paraburgim ndaj të pandehurve është edhe arratisja e tyre pasi, sipas Prokurorisë, “një pjesë e të pandehurve kanë ndërruar identitet apo edhe kanë marrë identitet të rremë si që është i pandehuri Ragip Bislimi, Abedin Gjakova, Roland Beqiri, krejt kjo me qëllim që të ju shmangen identifikimit nëpër pikat kufitare dhe për të ju shmangur fletarresteve të mundshme që mund të kenë nëpër shtete tjera”.

“Po ashtu, rrezikut të arratisjes i shtohet edhe fakti që tani mundësia për të udhëtuar jashtë Kosovës në shtetet e Bashkimit Evropian është shumë e lehtë pas liberalizimit të vizave, e veçanërisht arratisja-fshehja në shtetet që nuk bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës, në këtë rast shteti i Serbisë, dhe ky fakt do të na sjellë në një situatë që ta kemi të pamundur për të siguruar prezencën e të pandehurve në procedurë”, ka thënë Prokuroria në dosjen e siguruar nga Klankosova.tv.

Me nga sa vite mund të dënohen të pandehurit?

Të dyshuarit e sipërpërmendur, sipas asaj që thuhet në dosjen e përgatitur nga Prokuroria Speciale, në bazë të veprave penale për të cilat ata dyshohen, mund të dënohet me gjobë dhe burgim deri në 7 vjet.

“…këto vepra kanë të bëjnë me cenimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe shëndetit të tyre, sigurisë së pronës dhe faktin se këto vepra penale janë kryer në mënyrën që tejkalojnë kufijtë shtetërorë”, thotë Prokuroria.

Gjithashtu, prokuroria thotë se “rrezikshmëria e këtij grupi kriminal të organizuar ndërlidhet edhe me faktin se disa të pandehur që janë pjesë e këtij grupi kriminal, kryejnë edhe tentim vrasje me porosi nga ku edhe marrin shpërblimin për veprimin e kryer (për shkak të rrezikut të prishjes së hetimeve, në këtë fazë nuk do të bëhet e ditur se për cilin të pandehur bëhet fjalë)”.

“Andaj, referuar të lartcekurave, të gjitha këto rrethana tregojnë rrezikun se me lënien e tyre në liri, do të vazhdojnë kryerjen e këtyre veprave penale dhe të pengojnë edhe rrjedhën normale të procedurës penale, madje mund të kryejnë vepra penale me pasoja edhe më të rënda për jetën dhe trupin e njeriut, si vlera vitale të garantuara me ligj dhe kushtetutën e vendit”, është thënë në dosjen e Prokurorisë për të dyshuarit e rastit “Qielli i Thyer”.

Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata. /Klankosova.tv

Të ngajshme

Studimi tregon se ushtrimet përmirësojnë mbijetesën ndaj kancerit

Erzana Fazliu

Moti sot

Erzana Fazliu

Në këtë orë falet Kurban Bajrami

KushtrimGuraj