Telenews

Dosja e prokurorisë: Vrasja e 21-vjeçares ndodhi brenda zyrës së punëtores sociale

Për t’u marrë vesh në lidhje me fëmijën 1-vjeçar, ishin bërë bashkë në Qendrën për Punë Sociale, V.A dhe tashmë e ndjera E.C e që në këtë takim ishte edhe vëllai i mitur i 21-vjeçares.

Takimi ishte duke u zhvilluar në zyrën e njërës prej punëtoreve sociale, Q.Z, brenda hapësirave të Qendrës për Punë Sociale.

Zyrtarja sociale në këtë rast në bazë të dosjes është dëshmitare e rastit tragjik që u shënua në Ferizaj më 12.04.2024.

Në bazë të dëshmisë së saj që ka siguruar KALLXO.com, punëtorja sociale ka rrëfyer se, brenda zyrës së saj i dyshuari kishte shtënë disa herë në drejtim të ish-bashkëshortes së tij 21-vjeçare.

Edhe vetë i dyshuari në deklarimin e tij pas arrestimit ka treguar se në zyrë ishin takuar me ish-bashkëshorten, vëllain e saj 15-vjeçar dhe punëtoren sociale.

Sipas dëshmisë së të dyshuarit, ka pasur një fjalosje me ish-bashkëshorten e më pas ka nxjerrë armën nga brezi dhe ka shtënë në drejtim të saj dhe vëllait të saj.

Pasi kishte shtënë me armë zjarri ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Avokati i të dyshuarit, Ramadan Sylejmani, tha në seancë se V.A ishte dorëzuar vetë në polici.

V.A, 36-vjeçar është baba i katër fëmijëve, tre i kishte me një grua tjetër dhe një fëmijë 1 vjeç e kishte me 21-vjeçaren, të cilën dyshohet se e vrau me datë 12.04.2024.

Ata kishin 10 muaj që ishin ndarë ndërsa ishin edhe në procedurë të vendosje së kujdestarisë për fëmijën.

Një natë para se të zhvillohej takimi mes 36-vjeçarit dhe 21-vjeçares, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, i dyshuari tha se ishin fjalosur mes vete në rrjetin social “Instagram”.

Në bazë të dosjes së prokurorisë, V.A, dyshohet se ka goditur në kokë disa herë 21-vjeçaren dhe ka plagosur në krah vëllain e saj.

Arma që u përdor në rast sipas prokurorit të Ferizajt, Valdet Avdiu, ishte pistoletë e tipit Zoraki m2906-T me kalibër 9 milimetër.  Arma është sekuestruar bashkë me një karikator të zbrazët. Arma gjithashtu sipas dosjes dyshohet se është blerë nga V.A nga një klient i tij.

source

Të ngajshme

Përfundon votimi për fatin e Abdixhikut në LDK

KushtrimGuraj

Tentuan të realizonin shitblerje tokash në vlerë prej 1.55 milionë eurosh me dokumente të falsifikuara, arrestohen tre persona

KushtrimGuraj

Abdixhiku: Nismë e gabuar, e pavend dhe e pakohë, ndjej keqardhje për ata që sabotuan partinë

Blearta