Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se KFOR-i i është përgjigjur negativisht kërkesës së Serbisë për kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Ndërkohë, kjo përgjigje në Kosovë po vlerësohet si konsum politik i bërë nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Zyrtarë institucionalë, por edhe njohës të çështjeve të sigurisë, thonë se kërkesa ishte joreale dhe se një gjë e tillë nuk kishte bazë për të ndodhur.
Përgjigjja negative e KFOR-it ndaj kërkesave të Serbisë në Kosovë prej kohësh është parë si çështje e mbyllur. Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Enver Dugolli, konsideron se kjo kërkesë e Serbisë ishte vetëm për konsum politik.
“Realisht ne e kemi gjendjen edhe dejuro edhe de facto të tejkaluar për kërkesa të Serbisë. Në rend të parë sa i përket statusit të Kosovës, pra Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, është vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me miratimin e kësaj dhe një mori çështjesh për të cilat dispozitat e kësaj rezolute që kanë të bëjnë me mundësinë e kthimit të forcave të armatosura të Serbisë në Kosovë, ose si them unë kthimi në vendin e krimeve të luftës nuk do të mundësohet ngase të gjitha ato që kanë qenë të përcaktuara: deminimi, çështja e sigurimit të kalimeve kufitare, çështja e sigurimit të trashëgimisë kulturore e fetare serbe janë të mbrojtura nga Policia e Kosovës”, tha ai.
E presidenti serb Aleksandër Vuçiq duke njoftuar opinionin për përgjigjen negative që ka marrë tha se përgjigjja ndodhi pikërisht në ditën e Krishtlindjes.

