Një studim i ri ka zbuluar se të moshuarit mbi 80 vjeç që ecin më shpejt se bashkëmoshatarët e tyre kanë rreth 50 për qind më pak rrezik për rënie të funksioneve njohëse, edhe nëse truri i tyre shfaq shenja të sëmundjes së Alzheimerit ose formave të tjera të demencës, ka shkruar The New York Post.
Studiuesit i quajnë këta persona “super movers” ( apo super-lëvizës). Ata përbëjnë vetëm 6 deri në 10 për qind të të moshuarve dhe zakonisht ecin me shpejtësinë e një personi rreth 30 vjet më të ri.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Neurology”, ka analizuar të dhënat e afro 4 mijë të rriturve për disa vite.
Rezultatet treguan se “super-lëvizësit” kishin funksione më të mira njohëse dhe më pak raste të reja të Alzheimerit ose demencës, ani pse në tru kishin ndryshime të ngjashme me ato të personave të tjerë të së njëjtës moshë.
“Kjo sugjeron se ata mund të kenë mekanizma mbrojtës që u lejojnë ta ruajnë funksionin e trurit edhe kur ndodhin ndryshime të lidhura me plakjen”, ka thënë autori kryesor i studimit, doktori Joe Verghese.
Ai ka shtuar se zbulimi i këtyre mekanizmave mund të ndihmojë në zhvillimin e strategjive të reja për ruajtjen e shëndetit të trurit gjatë plakjes.
“Mesazhi më i rëndësishëm është se lëvizshmëria dhe shëndeti i trurit janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën”, u shpreh ai.
Sipas ekspertëve, ecja më e shpejtë mund të jetë shenjë e një organizmi më të shëndetshëm, pasi pasqyron gjendjen e trurit, zemrës, muskujve, metabolizmit dhe sistemit nervor.
Megjithatë, sipas studiuesve kërkimi nuk provon se vetëm ecja më e shpejtë parandalon demencën.
“Studimi ynë nuk tregon se mjafton të ecësh më shpejt për të parandaluar rënien e funksioneve njohëse. Megjithatë, ruajtja e lëvizshmërisë është një pjesë shumë e rëndësishme e plakjes së shëndetshme. Ata që duan të përmirësojnë ritmin e ecjes duhet ta bëjnë gradualisht dhe, nëse kanë probleme shëndetësore, të këshillohen fillimisht me mjekun”, ka thënë Verghese.
Ekspertët shtojnë se aktiviteti i rregullt fizik, ushtrimet për forcë dhe ekuilibër, si edhe ruajtja e një ritmi të mirë të ecjes, mund të ndihmojnë jo vetëm zemrën, por edhe shëndetin e trurit në moshë të shtyrë.

