Telenews

Edhe Rexhep Selimi mbetet në paraburgim

Pas Jakup Krasniqit, në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës do të mbetet edhe Rexhep Selimi.

Kjo pasi që Gjykata e Apelit ia ka refuzuar ankesën e trupit mbrojtës të Rexhep Selimit për lirimin nga paraburgimi.

Paneli i Gjykatës së Apelit ka vendosur që Selimit t’i refuzohet në tërësi ankesa dhe rrjedhimisht atij t’i vazhdohet paraburgimi.

Apeli në arsyetimin e tij ka theksuar se ekzistojnë sërish rreziqet e ikjes, ndikimit në dëshmitarë e shkatërrimin e provave, nëse Selimi mbrohet në liri.

Ndryshe Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, i kryesuar nga Michele Picard, një ditë më parë kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, me anë të së cilës është bërë vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj tij.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

 

Të ngajshme

Trump “vesh” kostumin e Supermanit, e quan veten “Simbol i shpresës”

Valjeta Turkaj

Reagon familja e Liridona Ademajt pas raportit për Murselin

Valjeta Turkaj

Vetëm pesë minuta me pozën e bretkosës: Bark i sheshtë dhe lamtumirë dhimbjes së shpinës

Erzana Fazliu