Telenews

Edon Zhegrova po rikthehet në versionin më të frikshëm, i vetmi lojtar i Kosovës me notë pozitive në dy ndeshjet

Pas një viti shumë të gjatë me lëndime të shpeshta, pak minuta në fushë dhe kritika të mëdha – sulmuesi Edon Zhegrova duket se po rikthehet në formën e karrierës.

Anësori i krahut të majtë fillimisht shkëlqeu për Juventusin në dy ndeshjet e fundit në Serie A, ku kontribuoi me dy gola e një asistim ndaj Sassuolos dhe Atalantas.

Me të njëjtin ritëm ka vazhduar edhe me Kosovën, duke qenë lojtari i vetëm me notë pozitive në dy përballjet që zhvilluam në Ligën e Kombeve, pra kundër Irlandës, respektivisht Austrisë.

28-vjeçari ishte titullar kundër irlandezëve, ku brenda 73 minuta nga “SofaScore” mori notën 7.1, për të pasur dy goditje në portë, kompletoi pesë nga nëntë driblimet e tentuar, dhuroi dy pasime kyçe si dhe fitoi nëntë duele.

Me të njëjtin vlerësim pozitiv vazhdoi edhe në humbjen nga Austria, ku faktikisht e shënoi edhe golin e nderit, në atë disfatë të dhimbshme 3-1.

Përpos golit, Zhegrova brenda 45 minutave ishte 100 për qind i saktë në pasime (18 nga 18 të tentuara), kishte 32 prekje të topit si dhe bëri një goditje në portë. Kësisoj, “SofaScore” e vlerësoi me notën 7.6.

Falë këtij ritmi, tani Zhegrova është kandidati kryesor për ta fituar vendin e titullar në formacionin e Franco Fodas për dy ndeshjet e mbetura, kundër Izraelit si dhe Austrisë në Prishtinë.

Më i matur: Prioritet Kosova dhe jo goli

Jo vetëm në fushë, Zhegrova faktikisht po dëshmon një maturi edhe jashtë. Këtë më së miri e dëshmoi me deklaratën pas humbjes nga Austria.

Në intervistën për “Klan Kosova”, Zhegrova u pyet për golin ndaj Austrisë, mirëpo përgjigja e tij ishte e shkurtër dhe e prerë.

“Goli? Jo, nuk është me rëndësi goli im. Me rëndësi ishte të fitonim ndeshjen, kështu s’kam çfarë të them për këtë gjë”.

Forma e lartë fiton vëmendjen edhe në Itali

Paraqitjet e tij po vlerësohen tejmase edhe në Itali, ku gazetat më të mëdha po shkruajnë se ylli i Kosovës lehtë mund të jetë kandidat serioz për të qenë titullar te Juventusi.

“Calciomercato” shkroi të hënën se me paraqitjet e fundit Zhegrova i ka dërguar mesazh të qartë trajnerit Luciano Spalletti dhe njëkohësisht edhe yllit të Portugalisë Francisco Conceicao.

“Penalltia nuk e largoi humbjen nga Austria, por e konfirmoi formën e fortë të Edon Zhegrovës. Me këtë gol, ai ka arritur në tre gola dhe një asistim në gjashtë ndeshjet e para të këtij sezoni”.

“Kjo është gjithashtu një mesazh i rëndësishëm për Luciano Spallettin, i cili asnjëherë nuk arriti të mbështetët në versionin e tij më të mirë sezon e kaluar”.

“Ai tashmë mund të ketë një rol më të rëndësishëm në rotacionin e Juventusit, duke pasur vetëm dy kompeticione për të garuar me bashkëlojtarët (Serie A dhe Kupën e Italisë). Me formacionin 4-2-3-1 që e përdorë Luciano Spalletti, kosovari është kandidat për pozitën e Conceicaos në krahun e djathtë”, raporton mediumi në fjalë.

Kësisoj, mbetet për t’u parë nëse Foda do ta zgjedhë Zhegrovën për të qenë startues të enjten kundër Izraelit, sidomos me këtë të fundit që konfirmoi se është në formë të mirë fizike.

Të ngajshme

Tahiri: Kanë mbetur edhe tetë ditë, nuk po shoh proces serioz politik për për çështjen e presidentit

Yllka Gashi

Behrami: Pas Deklaratës, tani urgjent të ndryshohet Ligji për Specialen

Yllka Gashi

PDK-ja pas miratimit të deklaratës: Tani është radha e ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara

Yllka Gashi