Një aksion i gjerë kundër evazionit fiskal dhe ekonomisë informale është zhvilluar në Prizren dhe Suharekë, ku janë kontrolluar dhjetëra biznese që ushtrojnë veprimtarinë e autoparkingjeve, raporton Sinjali.
Burimet bëjnë të ditur se më 22 korrik, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale në Prizren, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Inspektoratin Qendror të Punës dhe Inspektoratin Qendror të Ministrisë së Tregtisë, ka realizuar kontrolle në 53 autoparkingje në Prizren dhe Suharekë.
Gjatë inspektimeve janë evidentuar një sërë shkeljesh ligjore, përfshirë:
- biznese të paregjistruara;
- ushtrim të aktivitetit pa arka fiskale;
- moslëshim të kuponëve fiskalë;
- punëtorë të paregjistruar;
- biznese pa kontrata qiraje;
- si dhe shkelje të tjera të legjislacionit në fuqi.
Sipas burimeve, inspektorët kanë përpiluar procesverbale për secilin rast të evidentuar, ndërsa institucionet përgjegjëse do të ndërmarrin veprimet administrative dhe ligjore sipas kompetencave të tyre.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka nisur procedurat hetimore për veprën penale “Shmangie nga tatimi”, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren.

