Një person ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, ndërsa Policia tashmë ka identifikuar dy personat që dyshohen për rastin.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të dyshuar janë Amar Xhemshiti dhe Amir Xhemshiti, ndërsa viktimë është K. M. (30 vjeç).
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:50 në rrugën “Xheladin Hana”, pranë Picerisë “Doro”, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Kur njësitë policore kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë hasur një BMW X6 me targa 01-999-HV, të braktisur, për të cilën dyshohet se është përdorur nga autorët para se të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Sipas hetimeve fillestare, Amar Xhemshiti dhe Amir Xhemshiti dyshohet se kanë shtënë me armë në drejtim të K. M, i cili më pas është paraqitur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po merr trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe ekipi i forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Amar Xhemshiti dhe Amir Xhemshiti ndodhen në arrati, ndërsa Policia është duke punuar për lokalizimin dhe arrestimin e tyre. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të plagosjes janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

