Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, ende nuk është kapur, ndërsa kërkimet për lokalizimin e tij po vazhdojnë. Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se policia është në ndjekje të tij dhe se ka gjasa që ai të kapet së shpejti.
Sipas informacioneve që burimet e Sinjalit kanë ndarë me redaksinë, operacioni për gjetjen e të dyshuarit është ende në zhvillim, por deri më tani nuk është arritur arrestimi i tij.
Sylaj kërkohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës.
Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm pak minuta pasi Arlinda ishte kthyer në shtëpinë e saj, e shoqëruar nga zyrtarët policorë. Pas vrasjes, i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes dhe Policia e Kosovës publikoi fotografinë dhe të dhënat e tij, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

