Këshilli Prokurorial i Kosovës dorëzoi dje sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për dekretim si kryeprokurori i shtetit. Njohës të së drejtës kushtetuese thonë se dërgimi i një kandidati të refuzuar paraprakisht, është rast i pa precedent. Për këtë, ata thonë se presidentja duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime se si duhet vepruar më tutje.
16 ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se nuk do të dekretojë Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës, dorëzoi përsëri në Presidencë kandidatin e njëjtë për dekretim. Në letrën që KPK ka dërguar në Presidencë, mes tjerash thuhet se KPK njoftimin e presidentes për mosdekretimin e Isufajt e konsideron si “Akt i mosdekretimit” që ka pikëpamje kundër kushtetuese, si në aspektin e bazës kushtetuese ashtu edhe në arsyetimin e tij.
LEXO EDHE
Rama bën veprimin e papritur, për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë
Radio Kosova ka pyetur Presidencën se si e shohin veprimin e KPK-së për dërgimin e sërishëm për dekretimin e Blerim Isufajt, si kryeprokuror i shtetit dhe se kur do të marrë vendim presidentja për dekretimin ose mos-dekretimin e Isufajt. Nga Presidenca nuk kanë kthyer përgjigje.
Duke komentuar faktin se KPK dërgoi në Presidencë një kandidat të refuzuar paraprakisht, profesori i së drejtës kushtetuese, njëherësh ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se ky është një rast i pa precedent.
“Sepse në momentin kur presidentja nuk e dekreton kryeprokurorin e shtetit, në bazë të ligjeve në fuqi, duhet të shkohet prej pikës zero. Pra, të hapet konkursi për kryeprokuror të shtetit. Kjo është një situatë që nuk ka ndodhur më herët. Unë konsideroj, se presidentja duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar se si duhet vepruar më tutje”, tha ai.
Ndërsa, Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, organizatë që kishte monitoruar përzgjedhjen e kandidatëve për kryeprokuror të shtetit, në një prononcim për Radio Kosovën, thotë se KPK duhet të shpallë konkurs të ri për zgjedhjen e kryeprokurorit.
“Definitivisht është shumë e rëndësishme që Këshilli Prokurorial i Kosovës të veprojë, të shpallë konkursin e ri dhe pa vonesa të paarsyeshme e përmes një procesi meritor e transparentë ta përzgjedhë kryeprokurorin e ri të shtetit”, tha Shala.
Prokurori Blerim Isufaj ishte propozuar për kryeprokuror të shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës në prill të vitit të kaluar. 18 muaj pas këtij propozimi, Presidentja e Kosovës njoftoi se nuk do të dekretojë Isufajn. Ndërkohë, prej kur e përfundoi mandati Aleksandër Lumezi, postin e kryeprokurorit të shtetit, po e ushtron Besim Kelmendi. /Telenews.al/