Telenews

Escobar takohet me Kurtin dhe Vuçiqin në prag të takimit trepalësh Kosovë-BE-Serbi

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndodhet në Bruksel dhe do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë.

Sipas këtyre burimeve, takimet do të zhvillohen në prag të bisedimeve të liderëve, të cilat duhet të nisin në selinë e Bashkimit Evropian gjatë ditës së 27 shkurtit.

Është takimi më i rëndësishëm në dhjetë vitet e fundit, pasi që pritshmëritë janë që kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë të pranojnë të ashtuquajturin “propozim evropian për marrëveshje bazë”.

Kjo do të ishte marrëveshja e dytë mes palëve në dialogun e nisur në vitin 2011.

Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia ranë dakord për Marrëveshjen e Brukselit. Propozimi evropian në pritje të konfirmimit nga liderët konsiderohet si dokumenti më i rëndësishëm deri më tani, i cili duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano nënvizoi se nga liderët pritet sjellja evropiane dhe pranimi i propozimit.

“Progresi dhe rezultatet e dialogut varen nga vullneti i dy palëve për të bërë kompromisin e nevojshëm. Motivimi është i qartë: ne kemi thënë vazhdimisht se e ardhmja evropiane e Kosovës dhe Serbisë varet nga përparimi në dialog”, tha Stano.

Pranimi i këtij plani, sipas zëdhënëses së Brukselit, do të çonte në qëllimin përfundimtar, pra një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Të ngajshme

Ngjarjet e datës 1 tetor

Rrezarta Ramaj

Alarm në shkollën e fëmijëve të Harry-t dhe Meghan-it, çfarë ndodhi pas shfaqjes së fotografëve?

Rrezarta Ramaj

Videoklipi i Don Xhonit, jep dorëheqjen drejtori i “Makedoniumit”: Ndjej përgjegjësi morale, ishte lëshim i paqëllimshëm

Rrezarta Ramaj