Telenews

EULEX-i dhe IML-ja forcojnë bashkëpunimin në punën për personat e zhdukur

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka njoftuar se shefi i tij, Giovanni Pietro Barbano dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë nënshkruar të mërkurën dy marrëveshje teknike që synojnë forcimin e bashkëpunimin ndërmjet EULEX-it dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) për rritjen e efektivitetit të punës për personat e zhdukur.

Kjo marrëveshje për kryerjen e përbashkët të shqyrtimit të rasteve përfshin ofrimin thelbësor të ndihmës nga ekipi i Mjekësisë Ligjore i EULEX-it për IML-në në të gjitha aspektet teknike të kërkimit, zhvarrosjes dhe identifikimit të personave të zhdukur në lidhje me konfliktin në Kosovë.

“Marrëveshja teknike për instalimin e zyrave në kontejnerë në IML për një afat të mesëm ka të bëjë me instalimin e përkohshëm të zyrave në kontejnerë nga EULEX-i në IML, si dhe synon të sigurojë vazhdimësi për marrëdhëniet e ngushta të punës ndërmjet Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it dhe personelit të IML-së deri në përfundimin e punimeve për riparimin e objektit IML-së, pasi objekti qe dëmtuar nga zjarri. Zyrat në kontejnerë pritet të vendosen gjatë muajve të ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se që nga fillimi i mandatit të tij deri më sot, EULEX-i ka punuar për gjetjen dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur tek familjet e tyre, në mënyrë që ata të varrosen me respekt dhe dinjitet.

“Ekspertët e EULEX-it ofrojnë ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varreve klandestine apo të pashënuara, si dhe zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga lufta e Kosovës dhe periudhën menjëherë pas saj. Misioni gjithashtu e mbështet IML-në për analizimin e mbetjeve mortore të paidentifikuara në morgun e Prishtinës. Në veçanti, që nga viti 2009, ekspertët e EULEX-it kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në 806 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 210 zhvarrime. Mbetjet mortore të 507 personave janë identifikuar, duke përfshirë 348 persona të zhdukur”, thuhet në njoftim.

 

Të ngajshme

Ngjarje e rëndë në Shqipëri, një 25-vjeçar vret me thikë bashkëjetuesin e ish-gruas

Donat Hashani

LDK në Gjilan sot mban konferencë për media

Donat Hashani

Sot zgjedhet kryetari i ri i AGK-së

Donat Hashani