Telenews

EULEX-i dhe IML-ja forcojnë bashkëpunimin në punën për personat e zhdukur

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka njoftuar se shefi i tij, Giovanni Pietro Barbano dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë nënshkruar të mërkurën dy marrëveshje teknike që synojnë forcimin e bashkëpunimin ndërmjet EULEX-it dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) për rritjen e efektivitetit të punës për personat e zhdukur.

Kjo marrëveshje për kryerjen e përbashkët të shqyrtimit të rasteve përfshin ofrimin thelbësor të ndihmës nga ekipi i Mjekësisë Ligjore i EULEX-it për IML-në në të gjitha aspektet teknike të kërkimit, zhvarrosjes dhe identifikimit të personave të zhdukur në lidhje me konfliktin në Kosovë.

“Marrëveshja teknike për instalimin e zyrave në kontejnerë në IML për një afat të mesëm ka të bëjë me instalimin e përkohshëm të zyrave në kontejnerë nga EULEX-i në IML, si dhe synon të sigurojë vazhdimësi për marrëdhëniet e ngushta të punës ndërmjet Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it dhe personelit të IML-së deri në përfundimin e punimeve për riparimin e objektit IML-së, pasi objekti qe dëmtuar nga zjarri. Zyrat në kontejnerë pritet të vendosen gjatë muajve të ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se që nga fillimi i mandatit të tij deri më sot, EULEX-i ka punuar për gjetjen dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur tek familjet e tyre, në mënyrë që ata të varrosen me respekt dhe dinjitet.

“Ekspertët e EULEX-it ofrojnë ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varreve klandestine apo të pashënuara, si dhe zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga lufta e Kosovës dhe periudhën menjëherë pas saj. Misioni gjithashtu e mbështet IML-në për analizimin e mbetjeve mortore të paidentifikuara në morgun e Prishtinës. Në veçanti, që nga viti 2009, ekspertët e EULEX-it kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në 806 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 210 zhvarrime. Mbetjet mortore të 507 personave janë identifikuar, duke përfshirë 348 persona të zhdukur”, thuhet në njoftim.

 

Të ngajshme

“50 mijë vakte falas gjatë pandemisë”, shqiptari Joe Haliti shpallet ‘Qytetar i Vitit’ në Huston

Donat Hashani

Organizim i skemave piramidale apo bixhozit të paligjshëm-arrestohen dhjetë persona

Donat Hashani

Aktakuza ndaj Radojçiqit dhe të tjerëve përmendet në Raportin e DASH-it

Donat Hashani