Pas 27 vitesh pritjeje dhe pasigurie, familja e doktor Adem Ademit ka marrë lajmin për identifikimin e tij përmes analizave të ADN-së, rezultatet e të cilave kanë mbërritur nga laboratori në Hagë.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se, pas pranimit të raporteve të reja të ADN-së, janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve.
Pas këtij njoftimi, familjarët e doktor Adem Ademit kanë reaguar publikisht, duke e cilësuar identifikimin e tij si një moment tejet të rëndësishëm, pas gati tri dekadash pritjeje për zbardhjen e fatit të tij.
Në emër të familjes, djali i tij, Erblin Ademi, ka shprehur emocionet për lajmin e marrë nga institucionet e Kosovës.
“Pas 27 vitesh pritjeje, sot morëm lajmin që familja jonë e priste me aq shumë shpresë. Sot, nga institucionet tona, u informuam se nga laboratori në Hagë kanë ardhur rezultatet e analizave të ADN-së, përmes të cilave është bërë identifikimi i babait tonë, familjarit tonë të dashur, Dr. Adem Ademi”.
Ai ka theksuar se ky zhvillim shënon një hap drejt përmbylljes së pritjes së gjatë dhe mundësisë që familja t’i japë lamtumirën e fundit me dinjitet.
“Ky lajm, pas gati tri dekadash pasigurie, pritjeje dhe kërkimi të së vërtetës, shënon një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për familjen tonë. Ai përbën një hap drejt përmbylljës së një pritjeje të gjatë dhe mundësisë që babit tonë t’i japim lamtumirën dhe nderimin që meriton”, u shpreh Erblin Ademi, i biri i Adem Ademit.
Në reagimin e tij, Erblini ka shprehur mirënjohje për institucionet e Kosovës, zyrtarët, hetuesit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore që kanë kontribuar ndër vite në zbardhjen e fatit të babait të tij.
“Dr. Adem Ademi do të përcillet dhe do të prehet në paqe me nderimin dhe dinjitetin që i takon, për jetën që jetoi, përkushtimin e tij si mjek dhe kirurg, për jetët që shpëtoi dhe për kontributin që dha për njerëzit dhe shoqërinë”, tha i biri i Adem Ademit, në emër të familjes.
Sa i përket ceremonisë së varrimit dhe hapjes së të pames, Erblin Ademi ka bërë të ditur se opinioni do të njoftohet me kohë, në ditët në vijim.
Në fund, ai ka falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë familjes dhe kanë shprehur solidaritet e mbështetje gjatë këtyre ditëve të vështira.

