Njëra prej skuadrave më të vjetra në futbollin e Kosovës, Ferizaji është rikthyer sivjet në elitën e futbollit tonë, pas një kohe relativisht të gjatë.
Pas një stinori fantastik në Ligën e parë, nën-drejtimin e trajnerit të suksesshëm Arbnor Morina, ferizajasit punën e madhe e kurorëzuan me sukses, duke arritur synimin që kishin prej vitesh, shkruan Telenews.al
Gjithë ky sukses i treguar në stinorin që lamë pas, bëri që Morina pashmangshëm të mbetet në krye të Ferizajit edhe në Superligë me të cilët do të tentojë rezultate sa më të mira.

Në një intervistë për Telenews.al, shefi i shtabit teknik të ”ujqve”, ka folur për rikthimin e Ferizajit në Superligë, fazën përgatitore, merkaton dhe synimet e tyre sivjet.
”Jemi rikthyer pas disa vitesh në Superligë, me një angazhim dhe përkushtim për punë të gjithë futbollistëve, poashtu falë një organizimi më ndryshe se më herët, dhe me një ecuri fantastike”, shprehet tekniku prishtinas.
Garat elite janë gjithmonë më të vështira se ato paraparake, këtë gjë e di mirë edhe Morina, por ai thotë se për këtë gjë, po përgatiten maksimalisht.
”Jemi duke e kryer fazën përgatitore, momentalisht gjendemi në Mavrovë të Maqedonisë. Futbollistët po e japin maksimumin dhe besoj se me kohë do të arrijmë që të jemi optimalisht gati për Superligë”.
Ferizaji ka kryer disa transfere në afatin kalimtar veror, por ç’mendon Morina tani, sa janë të kompletuar dhe mund t’ia dalin me këtë fond lojtarësh?
”Gjate kesaj kohe kemi kthyer në klub disa futbollistë ferizajas, sipas sistemit të proklamuar nga klubi, gjersa po i kombinojmë me pjesën tjetër që kanë qenë pjesë e ekipit dhe në këtë mënyrë kemi rritur konkurencën brenda ekipit, kam besimin që do të rezultojë e suksesshme”, pohon Morina.

Krejt në fund, 59 vjeçari që më herët ka drejtuar skuadra të ndryshme kosovare, tregon edhe për ambiciet e klubit të Ferizajit, për këtë stinor në Superligë.
”Aspiratat e klubit sivjet janë që të stabilizohemi në ligë dhe të vazhdojmë të luajmë mirë e të mbledhim sa më shumë pike që mundemi, besoj se do të i’a dalim ti arrijmë këto objektiva që i kemi”, tha ndër të tjerash trajneri Morina.
Ferizaji në Ligën e Parë – Grupi B, në 27 ndeshje sivjet regjistroi 19 fitore, 5 barazime dhe vetëm 3 disfata, ndërsa vlen të theksohet se kishin edhe një seri prej 22 ndeshjeve pa disfatë.
/Telenews.al/

