Federata Franceze e Futbollit ka nisur zyrtarisht procedurat për ta emëruar Zinedine Zidane si përzgjedhësin e ardhshëm të Kombëtares së Francës, raporton “L’Equipe”.
Sipas këtyre burimeve, gjithçka po shkon drejt një skenari që konsiderohet pothuajse i sigurt brenda futbollit francez.
Zidane shihet si pasuesi i natyrshëm i Didier Deschamps, i cili pritet të largohet nga posti pas Kupës së Botës 2026. Turneu botëror i vitit 2026 do të jetë edhe paraqitja e fundit e Deschamps në krye të “Gjelave”, përpara se Federata të hapë një kapitull të ri me një nga figurat më ikonike të historisë së futbollit francez.
Sipas raportimit, Zidane ka nisur tashmë punën në prapaskenë, duke përzgjedhur stafin e tij ndihmës, çka e përforcon edhe më shumë bindjen se emërimi i tij është vetëm çështje kohe. Brenda Federatës ekziston bindja se ai është profili ideal për të udhëhequr një brez të ri lojtarësh francezë drejt objektivave madhorë.
Zinedine Zidane nuk ka drejtuar asnjë klub që nga viti 2021, kur u largua nga posti i trajnerit të Real Madridit. Në periudhën e tij në krye të klubit madrilen, ai arriti suksese historike, duke fituar tri herë Ligën e Kampionëve, si dhe disa trofe të tjerë madhorë, duke u konsoliduar si një nga trajnerët më të suksesshëm të epokës moderne.
Emërimi i tij në krye të Francës do të shënonte një kthim të madh në futboll për Zidane, këtë herë në nivel kombëtar, me synimin kryesor për ta përgatitur ekipin pas Kupën e Botës 2026 dhe për të ruajtur statusin e Francës si një nga kombëtaret më të forta në botë./Telegrafi

