Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka konfirmuar 269 raste të fruthit në vend që nga 16 prilli deri më 1 nëntor, prej të cilave 27 janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. Sëmundja është përhapur në 23 komuna, ndërsa mbi 95 për qind e personave të prekur rezultojnë të pavaksinuar me vaksinën MMR.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, pjesa dërrmuese e rasteve janë regjistruar te fëmijët, duke shtuar shqetësimin për mbulueshmërinë e vaksinimit dhe rrezikun e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
IKSHPK rikujton se vaksina MMR mbron nga tri sëmundje infektive: fruthi, parotiti dhe rubeola, ndërsa vaksinimi mbetet masa kryesore për parandalimin e tyre.
Fruthi është sëmundje gjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
Sipas IKShPK-së, vaksinimi në kohë mbron jo vetëm fëmijët e vaksinuar, por kontribuon edhe në mbrojtjen e komunitetit, përfshirë foshnjat dhe personat që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore.
Përveç vaksinimit sipas kalendarit të rregullt, IKShPK-ja, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon edhe vaksinimin plotësues për fëmijët që kanë mbetur pa vaksinuar ose nuk i kanë marrë të dy dozat e parapara.
Gjatë këtij viti, përmes këtyre aktiviteteve janë vaksinuar mbi 4 mijë e 6 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.
IKShPK u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe, në rast se kanë humbur ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet e vaksinimit për ta plotësuar atë sa më parë.
IkSHPK thekson se vaksinimi i rregullt dhe ai plotësues janë të rëndësishëm për rritjen e mbrojtjes së fëmijëve dhe ndërprerjen e përhapjes së fruthit.

