Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar sot një intervenim në fshatin Shtitaricë të Vushtrrisë, ku janë larguar 91 predha me rreth 819 kilogramë lëndë shpërthyese.
Kështu ka njoftuar këshilli i këtij fshati, ku bëhet e ditur se, për shkak të punimeve që po vazhdojnë në zonën e hekurudhës, banorët duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos lejojnë që fëmijët të frekuentojnë atë pjesë, pasi sipas tyre, ekziston mundësia që në terren të gjenden ende mbetje predhash apo mjete të tjera të pashpërthyera.
Po ashtu, qytetarët janë thirrur që në rast se vërejnë ndonjë objekt të dyshimtë, të mos e prekin dhe të mos i afrohen, por të njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës.
Në njoftim është përmendur edhe kontributi i një zyrtari të FSK-së.
“Një falënderim i veçantë shkon për majorin Drilon Hasani, i cili na njoftoi me kohë për gjetjet dhe ndërmori veprimet e nevojshme për trajtimin e tyre. Mirënjohje për profesionalizmin, bashkëpunimin dhe angazhimin e tij në garantimin e sigurisë së qytetarëve”, thuhet në njoftim.

