Gabimi që i kushtoi 20 mijë euro Komunës së Klinës – kush do të mbajë përgjegjësi?
Subvencione morën, por një ndihmë e tillë nga komuna u kushtoi shumë 66 klinasve.
Kur Komuna e Klinës hapi thirrje për subvencionim me motokultivatorë, ata aplikuan dhe edhe fituan, mirëpo kur lista u publikua, bashkë me emrat u shpërndanë në rrjete edhe të dhëna të tjera personale.
Vendi ku jetojnë, numri i telefonit e madje edhe numri personal i 66 përfituesve u publikuan, duke rrezikuar privatësinë e tyre dhe duke i ekspozuar ndaj rreziqeve kibernetike.
Një lëshim i tillë nuk i shpëtoi radarit të Agjencisë së Informacionit dhe Privatësisë.
Me 20 mijë euro gjobë, AIP dënoi pakujdesinë e zyrtares së Komunës së Klinës lidhur me publikimin e të dhënave personale.
Si të paqëllimshëm e cilësoi lëshimin e zyrtares drejtori i Administratës në këtë komunë, Binak Syla.
Sipas Sylës, zyrtaret e tjera të Zyrës së Komunikimit ishin të sëmura dhe lëshimi që ndodhi ishte pasojë e pakujdesisë së zyrtares për shkak të ngarkesës në punë.
Për KIKS Kosovën, drejtori shpjegon se ajo zyrtare tanimë nuk është pjesë e kabinetit qeverisës të komunës, mirëpo sipas tij, kur mori vesh për dënimin, ajo u ndje keq.
Si mësim që të jenë më të kujdesshëm në të ardhmen, drejtori thotë se ky dënim prej 20 mijë eurosh do t’u shërbejë.
Dhënia e 20 mijë eurove nga buxheti komunal, sipas Sylës, patjetër që është humbje për komunën, aq më tepër kur, sipas tij, ata si komunë kanë nevojë për buxhet shtesë e jo për humbje të tij.
Një pakujdesi të tillë, e cila i kushtoi shumë buxhetit dhe qytetarëve, e dënon edhe opozita në Komunën e Klinës.
Zëdhënësi i PDK-së në Klinë, Naim Musliu, për KIKS Kosovën tha se ky veprim tregon joprofesionalizëm nga partia që po udhëheq.
Sipas opozitës, do të ishte më me hajër nëse këto mijëra euro do të përdoreshin për përmirësimin e gjendjes në shkollat e Klinës.
Një përgjigje në formë llogaridhënieje për këtë gabim, Musliu thotë se komuna nuk ua dha as opozitës e as qytetarëve.
Janë publikuar deri në 20 mijë të dhëna të qytetarëve…
E kur një institucion shkeli ligjin, institucioni tjetër nuk hezitoi ta dënojë.
Me të marrë këtë informacion për shkeljen e Komunës së Klinës, AIP i shqiptoi gjobë prej 20 mijë eurosh.
Arbian Arifi nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, për KIKS Kosovën tha se kjo komunë shkeli Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Një “pakujdesi” e tillë, sipas Arifit, u ka rrëshqitur nga dora edhe shumë institucioneve të tjera, të cilat secila kanë marrë dënimin e merituar.
Madje, ai kujton një rast kur Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë bëri publike mbi 20 mijë informacione personale.
Këto lëshime që kthehen në dëm të qytetarëve, zyrtari nga AIP thotë se ndodhin kryesisht për shkak të mungesës së njohjes së ligjit.
Për KIKS-in, Arifi tha se sa herë dënojnë një institucion, vendimin e dërgojnë në gjykatë, mirëpo gjithmonë AIP del i fituar./KlanKosova

