Telenews

‘GËRDI & KRIM’ ME KONKURSIN E FUNDIT PËR PUNËSIME NË KEK

Punësimet familjare e partiake në konkursin e fundit në KEK, kanë lënë në hije të gjitha punësimet me shkelje ligjore në 20 vitet e fundit. Anëtarët e Komisionit vlerësues kanë pranuar në punë djem dhe vëllezër të tyre. Rasti më i rëndë është ai i punësimit të djalit të zyrtarit kryesor të Auditimit, Ismet Vrapçani. Paparaci, sjell dëshmi dhe fakte relevante për Prokurorinë, e cila do të duhej të vepronte njëjtë siç ka vepruar në rastin e Adem Grabovcit.

Vehbi Kajtazi - Autor i lajmit

Adem Grabovci, mund ta ndjejë veten të pafuqishëm në punësime kur do ta shohë listën e fundit të të punësuarve në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Të papërfillshme janë punësimet e tij dhe të PDK-së, në krahasim me ato të realizuara nga pushteti i Albin Kurtit.
Pos militantëve të punësuar, përfitues të mëdhenj janë familjarë të anëtarëve të komisionit intervistues të punësimit. Në këtë konkurs në të cilin janë pranuar 128 persona, shumica janë familjarë të zyrtarëve të KEK-ut dhe militantë të partisë në pushtet. Në konkurs kanë aplikuar plot 4668 persona.
Por, shkeljet më të rënda janë kryer nga anëtarët e komisionit vlerësues. Ata janë kujdesur që fillimisht të pranojnë në punë familjarë të tyre të rrethit të parë. Në të dytin kanë pranuar në punë militantë të Vetëvendosjes, raporton Paparaci.
Po kaq të kujdesshëm kanë qenë për të eliminuar nga gara ata që nuk janë familjarë të tyre dhe përkrahës të partisë në pushtet.
Mes njerëzve që kanë punësuar familjar është edhe njeriu që do të duhej t’i ndalonte këto punësime nepotiste dhe kriminale. Ai është zyrtari kryesor i Auditimit të Brendshëm në KEK, Ismet Vrapçanani, shkruan Paparaci.
Ky zyrtar është kujdesur që në konkursin e fundit në KEK, ta punësojë djalin e tij Nolin. Ky i punësuar është renditur me numër 17 në listën e të punësuarve.
Duke keqpërdorur pozitën zyrtare, Vrapçani, ka shpërblyer të birin me një vend pune të sigurt në kompaninë që aksionar ka Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.
Veprimi i tij bie ndesh me Kodin Penal të Kosovës.
Në një hetim penal të mirëfilltë, ai do të mund të përfundonte në burg për një kohë të gjatë.
Mirëpo, shkeljet ligjore nuk përfundojnë këtu. Për më keq komprometohet i gjithë procesi.
Shkelje të rënda janë bërë nga vetë anëtarët e komisionet të pranimit.
Yll Shala, një anëtar dhe aktivist i devotshëm i VV-së, që është inxhinierë në Termocentralin Kosova B ka qenë kryetar i komisionit të pranimit të një pjese të punëtorëve. Ai, ka pranuar një punë vëllanë e tij, Leotrim Shala të cilin e ka renditur të parin në listën e të punësuarve, shkruan Paparaci.com
Duke ndjekur shembullin e Yll Shalës, anëtari tjetër i Komisionit dhe aktivist i devotshëm i VV-së, Tahir Musliu, po ashtu ka punësuar djalin e tij, Fitim Musliun.
Edhe Zymer Morina, një anëtar i devotshëm i VV-së dhe anëtar i komisionit për pranimin e punëtorëve nuk ka shkuar shumë larg. Është kujdesur që t’i bëjë një vend pune djalit të tij, Fidan Morina.
Këta anëtarë të komisioneve, përveç shkeljeve etike dhe profesionale, si dhe konfliktit të pastër të interesit, kanë bërë edhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, që është e dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Shkeljet nuk mbarojnë me kaq.
Idriz Berbatovci, përveç që ka të punësuar gruan në KEK, dhe djalin e tij, Gëzim Berbatovci, tash ka punësuar edhe djalin tjetër Albinotin.
E gjithë kjo është mundësuar pasi që djali i parë i punësuar në KEK, Gëzimi punon në zyrën ligjore.
Po ashtu në listën e të punësuarve teknik të makinerisë gjendet edhe Fatlum Podvorica, i afërm i Milot Podvoricës, u.d. të Drejtorit të Zyrës Ligjore në KEK.
Shkeljet nuk kanë të ndalur më kaq.
Gani Pacolli, zyrtar në Burime Njerëzore në KEK, i cili pos tjerash përpilon kontratat e të punësuarve, ka punësuar djalin e tij, Florentin.
Fatbardh Dabinovci, i cili më herët ka qenë duke punuar në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, për shkak të shoqërisë së ngushtë me Milot Podvoricën, është transferuar në Qendër në KEK në ndërtesën e Toskanës. Tashmë ai është bërë një nga faktorët e rëndësishëm të punësimit të militantëve të VV-së në KEK.
Është kujdesur ta punësojë edhe vëllanë e tij, Fatlumin.
Gjithashtu, Remzi Selimi, anëtari i VV që punon në qendrën e trajnimit në KEK, ka punësuar mikun e tij në punë, Bekim Baliun, i cili pos tjerash nuk i plotëson as kushtet e konkursit.
Burimet e Paparacit bëjnë me dije se Baliu është i diplomuar për përpunim të metaleve dhe nuk ka pasur të drejtë të konkurrojë në drejtimin e Teknik i Makinerisë. Por, këtë e kanë mundësuar burimet njerëzore në KEK.
Keq me punësime nuk ka mbetur as kandidati i VV-së në zgjedhjet e fundit për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi. Pas humbjes, ai është bërë deputet në Kuvendin e Kosovës. Vendin e tij e ka liruar Alban Hyseni, i cili u zgjodh kryetar i Gjilanit.
Thaçi, kryetar i LVV në Obiliq, ka punësuar në KEK nipin e tij, Valon Gashi. Po ashtu, ai nuk e ka lënë keq as shokun e tij nga fëmijëria Florent Berishën.
Ndikimi i deputetit Thaçi shihet edhe në punësimin e militantit të VV, Florim Tërholli.
Ndërmarrja Publike e KEK-ut, ka pasur edhe më herët punësime familjare, por kurrë në këtë nivel. Tashmë, njerëzit e Vetëvendosjes pos militantëve po punësojnë familjarët e tyre. Krejtësisht në mënyrë të hapur. Në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Penal.
Ndërkohë, shumë kandidatë që kanë pasur nga 80 pikë deri 100 pikë, nuk janë pranuar në punë me arsyetimin se gjatë intervistës verbale kanë dështuar.
P.S.
Autori i këtij hulumtimi është edhe autor i publikimit të aferës “Pronto”. /Paparaci.com

Të ngajshme

Ministrisë së Ekonomisë i barten 720 mijë euro për subvencionimin e energjisë

Miftar Zejnullahu

Qeveria e nis mbledhjen me një minutë heshtje në nderë të viktimave pas tërmetit në Turqi e Siri

Miftar Zejnullahu

Fotoja e tyre u bë virale, nxirren nga gërmadhat motër e vëlla

Miftar Zejnullahu