Telenews

Gjendje alarmante në arsim: Mësimdhënësit në këtë fshat të Pejës e sabotojnë mësimin

 

 

Në shkollën fillore në fshatin Broliq të Pejës, e cila është paralele e shkollës Fan Noli e fshatit Kryshec, nuk është duke vijuar mësimi i rregullt.

Mësimi që është dashur të vijonte sot në orën 08:30 të mëngjesit, nuk ka filluar fare.

Kështu tregojnë pamjet brenda hapësirës së shkollës, të cilat i ka incizuar prindi i njërit nga nxënësit, Selman Gashi.

Në video shihet se mirëmbajtësi i shkollës i ka rënë ziles sot në orën 08:30, por asnjë mësimdhënës nuk ndodhej brenda shkollës, tregojnë pamjet.

Në një prononcim për Paparacin, Gashi është shprehur se që nga vjeshta janë duke pasur probleme me sigurimin e drunjve në këtë shkollë dhe se drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega iu kishte thënë se nuk kanë hapur tender për furnizim me drunj.

“Në këtë shkollë nuk mbahet kurrë mësim i rregullt, në ora 08:30 fillon mësimi por arsimtarët nuk vijnë deri rreth orës 09:00 e ndodh që pas një orë i lirojnë nxënësit dhe shkojnë në shtëpi. Problemin me dru e kemi pas që prej vjeshtës, kemi arrit edhe kryetarin e Pejës me e thirr, e drejtori i Arsimit na ka thanë që nuk kanë tender për dru. I njëjti rast me drutë ka ndodh edhe këtë javë, të shtunën e kemi thirr drejtorin e Arsimit e i kemi thanë që kemi me e publiku rastin në krejt mediat, e osht frikësu, i kanë sjell drutë të dielën”, është shprehur Selman Gashi.

Tutje, ai ka deklaruar se në atë objekt mësimin e rregullt e mbajnë katër klasa të rregullta dhe një klasë parashkollorë, dhe se problemin më mësimmbajtjen e ka diskutuar edhe me drejtorin e shkollës, Canë Gashi.

“I kam thanë drejtorit të shkollës së arsimtarët nuk po e mbajnë mësimin më ka thanë nuk është e vërtetë, i kam tregu që do bëj video e do e publikoj në media, e ai më tha mos e bon se na merr në qafë”, ka deklaruar tutje Selman Gashi.

Lidhur me mbajtjen e mësimit në këtë shkollë dhe problemet me sigurimin e drunjve, Paparaci ka kontaktuar edhe me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Pejë, Naser Gega.

Ai ka thënë se nuk ka informacione se në këtë shkollë nuk po mbahet mësimi i rregullt, dhe se sipas tij, nuk mund të ketë ndonjë problem me ngrohje.

Ai ka thënë se në këtë shkollë ngrohja bëhet me dru, duke shtuar se me drejtorin e shkollës në Kryshec, Canë Gashi, ka biseduar mëngjesin e sotëm dhe se gjithçka është në rregull.

“Jo, një informatë të tillë nuk e kam se ata nuk kanë nxemje qendrore, ata ngrohen me dru, jo më larg se sot kam kontaktu me drejtorin e shkollës, nuk më tha që e kanë këtë problem. Drejtori i shkollës nuk ma ka dhanë atë informatë se kanë mungu mësimdhënësit sot”, tha Gega për Paparacin.

Ndërsa, Paparaci ka tentuar të bisedojë edhe me drejtorin e shkollës, Canë Gashi, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Të ngajshme

Shqipëria goditet nga një tërmet

Valjeta Turkaj

Franca lëshon targat rozë për automjetet, çfarë tregojnë ato?

Erzana Fazliu

ShBA paralajmëron Iranin se “të gjitha opsionet janë në tryezë” në takimin e OKB-së

Valjeta Turkaj