Gjermania dhe Austria po kërkojnë që aktivitetet e TikTok-ut në Evropë të kalojnë nën pronësi dhe kontroll evropian, për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë e të dhënave dhe kontrollin mbi algoritmet e platformës.
Nisma synon që infrastruktura teknologjike e TikTok-ut, përfshirë sistemin që përcakton se çfarë përmbajtjesh u rekomandohen përdoruesve, të jetë nën përgjegjësi dhe kontroll evropian.
Ministri gjerman i Kulturës dhe Medias, Wolfram Weimer, dhe sekretari austriak i Shtetit për Çështjet Digjitale, Alexander Pröll, kanë vlerësuar se vetëm rregullimi ligjor nuk është i mjaftueshëm për të garantuar kontrollin mbi platformën.
Të dyja vendet synojnë të sigurojnë mbështetjen e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për këtë propozim gjatë mbledhjes së Këshillit të Telekomunikacionit dhe Energjisë, që do të mbahet më 2 dhjetor në Bruksel.
Kjo nismë vjen në kohën kur Komisioni Evropian ka shprehur shqetësime për mënyrën se si algoritmi i TikTok-ut u rekomandon përdoruesve përmbajtje që mund të jenë të dëmshme.
Ndërkaq, kompania TikTok e ka kundërshtuar propozimin, duke e cilësuar atë si të pabazë. Në reagimin e saj, kompania ka theksuar se aktivitetet e saj në Evropë janë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
TikTok gjithashtu ka theksuar se ka investuar 12 miliardë euro në programin e sigurisë së të dhënave “Project Clover”, përmes të cilit synon të garantojë mbrojtjen e informacionit të përdoruesve evropianë.

