Gjykata Speciale në Hagë ka konfirmuar qëndrimin e ish-presidentit Hashim Thaçi në Kosovë, për të vizituar nënën e tij të sëmurë.
Shefja e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun, Angela Griep, ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net vizitën e Thaçit në familjen e tij.
Në përgjigjen e tyre theksohet se Hashim Thaçi mbetet në paraburgim, dhe se rreth kësaj vizite EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara dhënë për Reporteri.net.
Hashim Thaçi në Kosovë ka arritur rreth orës 12:30, merr vesh Reporteri.net. Dhe menjëherë është dërguar për në Burojë. Merret vesh se ish-presidenti është lejuar të takohet vetëm nga afër vetëm me prindërit e tij.
Nëna e ish-presidentit Hashim Thaçi është liruar ditë më parë nga QKUK-ja, ku ishte trajtuar 5 ditë radhazi. Ajo tani është duke u trajtuar nga mjekët në kushte shtëpiake.
Raportohet se në afërsi të shtëpisë së familjes Thaçi në Burojë është vështirësuar edhe komunikimi me mjete elektronike, pasi dyshohet se për shkak të masave të sigurisë është ndërprerë edhe rrjeti i internetit dhe telefonisë.
Ndërkohë që pritet që Thaçi sot menjëherë pas vizitës tek prindërit të kthehet mbrapa në Hagë.