Trupi gjykues, nën udhëheqje të gjykatësit Charles Smith III, në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka pranuar dokumentin e propozuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili përmban një listë emrash të individëve të pretenduar si viktima në këtë çështje gjyqësore.
Gjykatësi Smith, u shpreh se ZPS-ja ofroi për pranim një dokument që përmban një listë emrash të identifikuar si “bashkëpunëtorë nga rajoni i Podujevës”.
Mbrojtja ka kundërshtuar pranimin e këtij dokumenti duke argumentuar se nuk ka bazë të mjaftueshme, por trupi gjykues ka vendosur ta pranojë si provë materiale.
“Dokumenti është relevant dhe i lidhur me arsyet që çuan në ndalimin e individëve të caktuar të renditur në dokumentin në fjalë, e që pretendohet të jenë viktima të krimeve në çështjen gjyqësore në fjalë”- tha Smith.
Sipas tij, trupi gjykues është i bindur se dokumenti është ‘prima facie’ autentik dhe provues në përmbajtje dhe besueshmëri.
“Duket që është faqja e parë e një dokumenti të policisë ndërkombëtare të UNMIK-ut e sekuestruar nga selia e SHIK-ut”-shtoi gjykatësi Smith.
Gjithashtu, Smith bëri të ditur se trupi gjykues ka dëgjuar prova për 4 persona të renditur në listën e dokumentit në fjalë, duke mbështetur në një mënyrë përmbajtjen dhe besueshmërinë e tij.
Si rezultat, trupi gjykues është i bindur se kërkesat e rregullës 188, paragrafi 1 janë plotësuar, dhe dokumenti është pranuar si provë materiale.Para një pushimi të shkurtër, ZPS ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarit të tetë me kodin 4323, dhe seanca po vijon me pyetjen e të njëjtit nga mbrojtja e Thaçit, avokati Gregory Kehoe.
Gjykimi po vazhdon në sesion privat.
Në sallën e gjyqit janë të pranishëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi. Ndërkaq, Jakup Krasniqi po e përcjell procesin përmes video-lidhjes.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.\Kallxo.com